Të gjithë individët me të ardhura mbi dy milionë lekë, dhe të dypunësuarit, pavarësisht nga niveli i pagave, kanë afat deri më 30 qershor 2021 që të bëjnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Komisioni parlamentar i Ekonomisë, miratoi sot Aktin Normativ “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, që parashikon dorëzimin e deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2020 në administratën tatimore dhe pagesën e detyrimit, nëse rezulton, jo më vonë se data 30 qershor 2021.
E pranishme në mbledhjen e komisionit zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Vasilika Vjero tha se, “shtyrja e afatit me dy muaj (nga 30 prill në 30 qershor) për dorëzimin e deklaratës vjetore individuale të të ardhurave i vjen në ndihmë një informimi më të gjerë, të çdo paqartësie që mund të kenë qytetarët për mënyrën e deklarimit”.
Sipas saj, deklarimi i të ardhurave të 2020, për të dy punësuarit aplikohet për herë të parë këtë vit.
“Pavarësisht nga niveli i të ardhurave, paga e marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja”- tha Vjero.
Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve janë 64 mijë të dy punësuar, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020 deri më 30 qershor 2021.
Gjoba për mosdeklarim brenda afatit është 5 mijë lekë, ndërsa për vonesat në pagesa kamatëvonesa është 0.06% në ditë.










