1.9 miliardë lekë më shumë, tatimi mbi të ardhurat personale

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 12,9 miliardë lekë gjatë periudhës janar-prill.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi treguesit fiskalë për periudhën, të ardhurat nga ky zë rezultojnë 1.9 miliardë lekë, ose 16,8 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020. Po ashtu ato rezultojnë se janë realizuar në masën 97.9 % kundrejt planit.

Qeveria parashikon heqjen e taksës mbi të ardhurat personale për pagat deri në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është kufiri aktualisht duke nisur nga 1 janari 2022. Kjo masë zgjeron bazën e të punësuarve që nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, duke e çuar në 67 %.

Pavarësisht diskutimeve të shumta mbi tatimin progresiv mbi të ardhurat personale, qeveria thotë se për 97 % të të punësuarve barra fiskale u ul. Të ardhurat në buxhet nga aplikimi i kësaj takse u ulën me rreth 2 miliardë lekë në vitin 2014, por në fund të vitit 2019 këto të ardhura shënuan rritje me 27 %.

Taksimi progresiv u shoqërua me rritje të punësimit në vend. Numri i të punësuarve shënoi rritje prej 46 % në fund të 2019-ës, krahasuar me 2013-ën. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.