Dita e Hënë është afati i fundit i aplikimit për të gjithë qytetarët e pastrehë që duan të përfitojnë kredi të butë nga Bashkia e Tiranës. Faza e parë e aplikimeve, të cilat kryhen pranë njësive administrative ku qytetarët janë të regjistruar, është çelur më datën 6 Dhjetor 2021 dhe mbyllet në 10 Janar 2022.
Përmes programit të strehimit “Për subvencionimin e interesave të kredisë”, Bashkia merr përsipër që të subvencionojë interesat e kredive që do të marrin përfituesit, duke u mundësuar atyrë një normë fikse prej 3 për qind. Ky program synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para për për qytetarët, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.
Të ardhurat për familje 3 persona, duhet të jenë 37 mijë deri 120 mijë lekë. Familjet me 4 anëtarë duhet të sigurojnë të ardhura mujore nga 44 mijë lekë deri në 133 mijë lekë. Ndërsa për ato me 5-6 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 53-131 mijë lekë në muaj. Ndërkohë vlera e e përfitimit nis nga 4.4 milion lekë për familjet me 1-2 persona për strukturë apartamenti garsoniere, deri në 7.5 milion lekë për familjet mbi 5 anëtarë, me strukturë apartamenti 3+1.










