Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik “TEDA Tiranë””.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. Referuar vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, me një vlerë të përgjithshme prej 115 milionë e 458 mijë lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Në fund të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të një territori me sipërfaqe 35 hektarë dhe shpalljen e Bashkisë së Tiranës si zhvillues të zonës.
Projekti përfshin zonën e Kasharit në kryeqytet dhe synon tërheqjen e industrisë prodhuese si asaj të automobilëve, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pajisjeve elektronike, farmaceutike, agropërpunuese si dhe industrive të tjera që operojnë me standard ndërkombëtare.
Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në vitin 2020, dhe tashmë edhe nga Këshilli i Ministrave, parashikon se periudha e funksionimit të “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA), Tiranë, të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet.
Sipërfaqet që prek projekti në Yzberisht, Gropaj dhe Kashar do t’i nënshtrohen shpronësimit ose marrjes në përdorim të përkohshëm për interes publik. Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “TEDA Kashar” parashikohet të jetë 102 milionë e 666 mijë euro.