3-fishohet importi i vajit të ulliri në vit mbiprodhimi

Viti 2022 është konsideruar shumë i mbarë për prodhimin e ullirit me një rritje prej 39 për qind, dhe rrjedhimisht edhe të vajit të ullirit, duke bërë që fermerët të shqetësoheshin për  të gjetur treg për shitjen e tij. Por ndërkohë që prodhuesit përballen me vështirësi në gjetjen e tregut të konsumit, si ka rezultuar importi përgjatë vitit 2022?

Referuar shifrave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të siguruara nga SCAN TV, vihet re se sasia e vajit të ullirit në tërësi të blerë nga shtete të huaja është  e ulët, por ajo që bie në sy është se pavarësisht kësaj, por ta krahasojmë me vitin 2021, gjatë vitit të kaluar ka pasur thuajse një trefishim të importit.

Konkretisht në 2022 janë importuar rreth 315 ton vaj ulliri nga 119 ton të importuara në vitin 2021, me një rritje prej 164 për qind.  Po ashtu rritje kanë njohur edhe importi në vlerë, duke u regjistruar në 179 milionë lekë në 2022 nga 65 milionë lekë në vitin 2021.  Për shkak të prodhimit të lartë, vaji i ullirit po tregtohet me një çmim mesatar 500-600 lekë për litër.

Prodhuesit po presin sezonin veror dhe ardhjen e turistëve apo emigrantëve me qëllim që të mund të shesin vajin e ullirit dhe të mos u mbetet stok, për shkak të një prodhimi të pazakontë të ndodhur në dekadën e fundit. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i ullirit mban “kampion” me një rritje disa herë më të lartë se produktet e tjera në vend. Pra nëse në vitin 2021 u prodhuan afro 110 mijë ton ullinj, përgjatë vitit që lamë pas, prodhimi arriti në 152.6 mijë tonë.