38 milion euro për blerjen e energjisë – Shpenzimet deri në mes të nëntorit, çmimi mesatar arrin në 260.11 euro/mwh

Rreth 38 mln euro janë shpenzuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë për blerjen e  energjisë, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore deri në mesin e muajit nëntor. Sipas të dhënave të kompanisë, që është pjesë e OSHEE group në total janë blerë 149.520 mwh energji, ndërkohë çmimi me të cilin po blihet energjia vijon të mbetet I lartë.

Rreth 38 mln euro janë shpenzuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë për blerjen e  energjisë, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore deri në mesin e muajit nëntor. Sipas të dhënave të kompanisë, që është pjesë e OSHEE group në total janë blerë 149.520 mwh energji, ndërkohë çmimi me të cilin po blihet energjia vijon të mbetet në nivele rekord, ku në një procedurë ka arritur edhe 284.16 euro/ mwh. Vlera prej 38 mln euro i shtohet shpenzimeve të kryera më herët, ku vetëm për muajin tetor  arritën në 65.8 mln euro.

Ndërkaq, çmimi mesatar më të cilin është siguruar energjia është 260.11 euro/mwh, disa fish më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Megjithatë, në raport me tetorin ka një rënie të lehtë, duke qenë se për muajin e kaluar çmimi mesatar me të cilin u sigurua energjia ishte 278.94 euro/ Mwh. Shpenzimet e larta për blerje energjie, por edhe vështirësitë e krijuara si pasojë e COVID-19 detyruan Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të marrë një kredi prej 70 mln euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që sipas OSHEE-së do të shkojë për vijimin e reformave, garancinë e furnizimit me energji dhe ndërtimin e një nënstacioni të ri në Tiranë.

Gjithashtu, një tjetër marrëveshje huaje prej 50 mln euro për mbështetjen e sektorit energjetik u nënshkrua pak ditë më parë me Agjencinë Franceze për Zhvillim e që do të përdoret për funksionimin e bursës së energjisë, si dhe konsolidimin e kompanive të krijuara nga ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektirke. Aktualisht, qeveria shqiptare ka shpallur gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, duke urdhëruar kompanitë publike të pezullojnë planet e investimeve. Sipas vendimit, gjendja e emergjencës do të zgjatë deri në datën 15 prill të vitit që vjen.