7 rregulla për organizimin e apartamenteve të vogla

1. Hidhni gjërat që nuk ju duhen

Të gjithë ne mbajmë në shtëpi sende, objekte apo rroba të cilat mund të kenë vite pa u përdorur dhe themi se mbase do të na duhet një ditë. Dhe nga dita në ditë numri i këtyre gjërave që nuk na nevojitet, rritet duke na kufizuar hapësirat.

Nëse ju vjen keq t’i hidhni, atëherë gjeni një mënyrë që t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Dhurojani dikujt që i nevojitet ose çojini pranë qendrave sociale, por mos i mbani në shtëpi.

Rregulli numër 1 për një shtëpi të vogël është të mbani vetëm gjërat që janë realisht të rëndësishme dhe mos u lodhni asnjëherë duke i seleksionuar.

2. Ndajeni dhomën në zona

Shtëpia nuk ka nevojë vetëm të mbushet me mobilje por edhe të sistemohen në mënyrën e duhur. Çdo cep i shtëpisë duhet shfrytëzuar për funksione të ndryshme. Një pamje estetike e shtëpisë do të bëjë të duket sikur ka më shumë hapësirë. Një rregull i artë është të ndani dhomën në zona.

Një nga mënyrat për të ndarë ambientin e ngrënies me atë të ndenjes në një sallon të zakonshëm është pozicionimi i njërit prej divanëve me shpinë kundrejt hapësirës tjetër. Po ashtu ju mund të vendosni pas divanit një mobilje ose kredencë që i jep një pamje më estetike dhomës.

3. Shtoni hapësirat e dollapëve

Rol të rëndësishëm në organizimin e mirë të shtëpisë kanë edhe dollapët. Nuk është e thënë të kemi vetëm dollapin e rrobave në dhomën e gjumit apo në pjesën e kuzhinës. Mund të keni një cep në korridor, ballkon apo edhe në sallon ku mund ta shfrytëzoni fare mirë për një dollap. Idealja do të ishte nëse dollapi do të ishte i fshehtë për të mos u dukur si i tepërt në një ambient ndoshta të papërshtatshëm.

Bëhuni kreativë! Vetëm se një dhomë është për një funksion të caktuar nuk do të thotë se nuk mund të përshtatet për funksione të tjera.

4. Shfrytëzoni maksimalisht raftet apo dollapet

Shpesh ne vetëm i vendosim gjërat në rafte apo dollapë pa i organizuar mirë duke bërë që të humbasim shumë hapësirë. Tregohuni të vëmendshëm ndaj çdo objekti. Përdorimi i qeseve me vakuum është një zgjidhje shumë e mirë për të vendosur rrobat e një stine të largët. Po ashtu nëse në dollapin tuaj të rrobave ka pak hapësirë, fare mirë mund të vendosni lodrat e fëmijëve të cilat ato i përdorin më pak. Nuk është e thënë që ata të rrijnë medoemos në dhomën e fëmijëve.

Tenxheret zënë një hapësirë të madhe në raftet tona. Me siguri edhe ju i lini shpesh herë të zënë hapësirë kur ju fare mirë mund t’i vendosni mbi njëra-tjetrën.

Kuzhina ka nevojë gjithmonë e për më shumë hapësirë por duhet të mësoni t’ia dilni me aq hapësirë sa keni.

5. Ngrijini gjërat nga dyshemeja

Lodrat e fëmijëve janë ato që shpesh shkaktojnë të gjithë rrëmujën në shtëpi dhe duke zënë edhe hapësirat. Ndoshta ju nuk keni mundësi që në çdo moment të ngrini lodrat e fëmijëve nga dyshemeja kur ata mbarojnë së luajturi por ju mund të edukoni fëmijën që t’i sistemojë vetë.

Por më parë duhet t’i siguroni fëmijës një vend të posaçëm për t’i vënë siç mund të jetë një raft, një dollap apo ndonjë kuti për sende.

Këpucët vërtet do t’i përdorim në ditët në vazhdim por është e nevojshme të vihen në vendin e caktuar për të mos e bërë ambientin tuaj të duket më i vogël dhe mbytës.

6. Shfrytëzoni hapësirat vertikale

Nuk mjafton vetëm të ngrini sendet nga dyshemeja për organizimin e një apartamenti të vogël. Një lehtësim për ju është edhe shfrytëzimi i hapësirave vertikale. Mund të përdorni shumë dollapë, rafte, apo edhe mbajtëse të tjera alternative. Është shumë e rëndësishme që çdo mur apo cep i shtëpisë të përdoret për një funksion. Atëherë shtëpia do t’ju duket edhe më e madhe.

7. Jini shumë selektiv në gjërat që blini

Nëse rregulli i parë për të organizuar një apartament të vogël ishte të hidhni çdo gjë që nuk ju duhet, ka edhe një rregull tjetër edhe më të rëndësishëm. Duhet të jeni shumë selektiv në gjërat që do të çoni në shtëpi. Duhet të blini gjërat për të cilat jeni të sigurt se ju duhen dhe që do t’i përdorni për një kohë të gjatë. Nëse është diçka që do ta përdorni vetëm një herë, më mirë kërkojini borxh pasi do ta keni më të vështirë për ta hedhur pastaj.