Si mund të bëhet taksimi i ekonomisë dixhitale…

Taksimi i ekonomisë dixhitale është një nga debatet më të nxehta sot në botë. Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Europa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë

Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë një problematikë të madhe në botë dhe Europë, atë të taksimit të ekonomisë dixhitale. Rregullat e sotme të taksimit ndërkombëtar të kompanive nuk përshtaten më me realitetin e ekonomisë moderne globale, në bazë të të cilit sot një kompani mund të arrijë fitime nga shërbimet dixhitale, pa qenë fizikisht të pranishëm. Rregullat aktuale të taksimit gjithashtu nuk arrijnë të identifikojnë rrugët e reja të krijimit të fitimeve në botën dixhitale. Si rrjedhojë ka një mospërputhje mes vendit ku krijohet vlera dhe ku paguhen taksat.

Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Europa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë. Kompani të huaja të shërbimit po veprojnë indirekt në Shqipëri përmes internetit, si p.sh., streaming video (apo kontent TV) bastet online, apo dhe operatorë si, Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime). Këto kompani, ndonëse ofrojnë shërbim në Shqipëri dhe marrin të ardhura nga konsumatorët shqiptarë, për momentin nuk janë të rregulluara dhe nuk paguajnë taksa.

Një nga mënyrat që sugjerohet për zgjidhjen e këtij problemi kompleks është harmonizimi i rregullave, por sërish sfida e zbatimit të një normative të unifikuar paraqet vështirësi, pasi shpesh ofruesit e këtyre shërbimeve janë jashtë Europës. Ajo çka rezulton të preferohet më shumë është përcaktimi i juridiksionit dhe zbatimi i rregullave të vendit të origjinës së këtyre subjekteve.
AMA sot nuk ka bazë ligjore që të identifikojë të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve së platformave, që operojnë shërbime audiovizive kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine.