A është media sociale e dëmshme për fëmijët?

Përpjekjet për të kufizuar ligjërisht qasjen e fëmijëve në mediat sociale në Shtetet e Bashkuara po intensifikohen. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, studiuesit thonë se megjithatë, ka aspekte negative dhe pozitive të të miturve që përdorin platformat.

Nuk do të ketë më qasje në mediat sociale për fëmijët nën 18 vjeç pa lejen e prindërve. Ky do të jetë standardi i ri në Jutah, kur dy ligje të reja të nënshkruara nga guvernatori republikan Spencer Cox do të hyjnë në fuqi në mars 2024.

“Administrata jonë është shumë e shqetësuar se si mediat sociale po ndikojnë tek fëmijët. Shkalla e depresionit tek të rinjtë dhe probleme të tjera të shëndetit mendor janë në rritje, dhe kompanitë e mediave sociale e dinë se produktet e tyre janë toksike”.

Guvernatorët dhe ligjvënës të tjerë në disa shtete gjithashtu duan që kompanitë e mediave sociale të mbajnë përgjegjësi për ato elementë që ata argumentojnë se “krijojnë “vartësi”.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë shkencore për të arritur në përfundimin se mediat sociale janë shkaku i vetëm i problemeve të shëndetit mendor tek të miturit, thotë Mitch Prinstein, me Shoqatën Amerikane të Psikologjisë.

“Në vend të kësaj, duhet të flasim se cilat janë veçoritë specifike të ndërtuara në platformat e mediave sociale, dhe cila është përmbajtja specifike ndaj të cilës fëmijët mund të ekspozohen në mediat sociale, që mund të jetë e dobishme ose e dëmshme për cilin fëmijë”.

Meta, kompania që ka në pronësi Instagramin, i tha Zërit të Amerikës në një deklaratë, se përveç heqjes së përmbajtjes që nxit vetëdëmtimin, ajo ka mjete që i ndihmojnë adoleshentët të kenë përvoja të përshtatshme për moshën.