A ia vlen të blesh e ta japësh me qera? Çmimet e larta rrisin kohën e kthimit të investimit

Rritja e shpeshtë e çmimeve të apartamenteve ka rritur vitet e kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies në Tiranë. Koha maksimale e kthimit të investimit nëpërmjet qirasë për apartamentet në kryeqytet llogaritet 20 vjet, ndërsa për mjediset komerciale, arrin deri 15 vjet.

Në Europë koha optimale e kthimit të investimit nga qiraja është 12 deri në 15 vjet. Në disa zona në Tiranë, ku kthimi i investimit kalon 20 vjet, rritja është ndikuar nga shtrenjtimi i shpeshtë i çmimeve.

Në Shqipëri, treguesi i kthimit nga qeraja vijon të mbetet më i lartë për zonat jashtë qendrës sesa ato në qendër. Sipas Numbeo-s, ky tregues për vitin 2022 ishte 5,08% për apartamentet jashtë qendrës dhe 4,12% për ato të qendrës (sa më i lartë të jetë treguesi, aq më të ulëta janë vitet e kthimit të investimit). Kthimi nga qeraja llogaritet si raport i qerasë vjetore me çmimin e blerjes së banesës e shprehur në përqindje.

Sipas të dhënave më të fundit të Numbeo-s, në raport me korrikun e vitit 2021, kthimi nga qiraja ka pësuar rënie për shtëpitë në qendër, duke reflektuar rritjen e çmimit të shtëpive në këtë zonë, me një rënie të treguesit prej 0,05%. Kthimi i qirave është ulur edhe në periferi me 0,09%, duke qenë se edhe çmimet në periferi, sikurse rezulton nga vëzhgimi, janë shtrenjtuar.

Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, çmimet e apartamenteve në zonat e qendrës kanë një diferencë të madhe në raport me apartamentet në qendër. Ndërsa për sa i përket qirasë, diferencat nuk janë aq të larta.

Çmimi i qirave nuk referohet gjithmonë sipas zonave, pasi e rëndësishme tek objektet që jepen me qera banimi janë edhe arredimet e brendshme të mjedisit.  Agjentë të agjencive të pasurive të paluajtshme rekomandojnë rishitjen e apartamenteve, pasi për shkak të shtrenjtimit të çmimeve përfitueshmëria është më e lartë.

A do të ulen çmimet?

Aktorë të tregut paralajmërojnë se mund të ketë rënie të çmimeve të apartamenteve, për shkak të tkurrjes së kërkesës. Ekspertët e sistemit bankar e vlerësojnë shtrenjtimin e interesave të kredive si një nga faktorët kryesorë që do të ndikojë te kërkesa. Por agjencitë imobiliare e shohin ndikimin vetëm në periudhë afatshkurtër, pasi në periudhë afatgjatë, çmimet do të vijojnë të rriten.

Rritja e normës së interesit të kredive hipotekare si pasojë e politikave monetare, pritet që, nga njëra anë të bëjë më tërheqëse për investitorët instrumentet financiare dhe nga ana tjetër, të shtrenjtojë kredinë për shtëpi, gjë që do të ndikonte te rënia e kërkesës dhe me gjasë, edhe uljen e çmimeve të pronave.

Banka e Shqipërisë ka rritur tre herë normat e interesit këtë vit, në përpjekje për të luftuar inflacionin, që në korrik arriti në 7.5%, niveli më i lartë në 20 vjet. Norma bazë ka arritur në 1.75% nga 0.5% në fillim të vitit. Rritja e normës bazë automatikisht shoqërohet me shoqërim të interesave të kredive, duke rritur këstet mujore të pagesave.

Deri tani, normat e interesit të huave hipotekare ishin në minimume historike, duke nxitur kredinë për shtëpi. Në korrik, interesat e kredive për shtëpi në lekë i kaluan 4% për herë të parë që nga viti 2018 (me përjashtim të prillit 2022 kur filloi pandemia dhe u konstatua një rritje e përkohshme).