“ABC” i largoi nga ekrani – Ky është televizioni ku do të shfaqet emisioni “Piranjat”

Emisioni “Piranjat”, i mbyllur nga “ABC News”, nuk do të shfaqet më në këtë ekran. Tashmë “Piranjat” do të shfaqen në “Syri TV”, ku kanë nisur përgatitjet edhe për studion.

Producent i këtij emisioni është Vojo Bregu, një mik i Ilir Metës, kreut të PL-së. Bregu është ish-sekretari skandaloz i Ministrisë së Bujqësisë.

Kujtojmë se gjatë kohës që ka mbajtur këtë detyrë, Vojo Bregu është përfshirë në skandal, në lidhje me abuzimet në tenderë, për të cilat ka pasur edhe një kallëzim në prokurori në pranverën e vitit 2021.

Auditimi i KLSH-së ka nxjerrë në pah abuzimet e Bregut në disa tenderë. Sipas KLSH-së, Bregu ka bërë shkelje të rënda ligjore në prokurime të zhvilluara kryesisht me negocim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525 milionë lekë pa TVSH të këtij tenderi.

Abuzime janë gjetur edhe në prokurimin e “blerjes së pajisjeve për shërbimin veterinar”, ku fondi i përcaktuar është dy herë më i lartë se ai i tregut. Procedura është sërish negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Por, pas “shkëlqimit” në Ministrinë e Bujqësisë, famozi Vojo Bregu kandidoi për deputet në siglën e LSI-së, në zgjedhjet e 2021-shit.

Nga skandaloz në administratë e kandidat, tani mikun e Ilir Metës do ta kemi te “Syri”. Pra, një emision investigativ, ku producent është as më pak e as më shumë se “Piranja” e administratës.