Përveç rritjes së pagave, punonjësit e admistratës publike do të përfitojnë edhe kredi të buta. Kuvendi ka marrë në shqyrtim ndryshimet në ligjin për strehimin social, të propozuar nga Ministria e Financave.
“Do shtojmë një kapitull të ri, për mbështetjen me kredi të lehtësuara për strehimin e të punësuarve të administratës publike. Synon të adresojë nevojat e reja për strehim dhe ndërtimin e të ardhmes në vendin e tyre”.
Përfshirja e administratës në programin e kreditimit të lehtësuar, sipas ministres vjen si nevojë për të parandaluar largimin e shtresës së mesme nga vendi.
Gjithashtu edhe si shpërblim për kohën dhe kapitalin që kanë shpenzuar në Shqipëri.
“Mbështetja e familjeve të reja, të administratës publike, të cilët kanë shpenzuar kohë dhe kapital për t’u shkolluar këtu”.
Ligji përcakton ndryshime edhe në nivelin e të ardhurave që duhet të ketë aplikanti për të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët, duke bërë referencë me çmimet e banesave në treg. Për këtë treg banesash, familjet përfituese, duhet të kenë të ardhura mujore nën 135 000 Lekë.