Aeroporti i Vlorës: Si u bllokua projekti 103.9 milionë euro dhe pse shteti po zgjidh kontratën


Nga Fatos Çoçoli

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të dekadës së fundit.

Vendimi vjen pasi koncesionari nuk arriti të përmbushë afatet kontraktore për ndërtimin dhe vënien në funksion të aeroportit, ndërsa vonesat u thelluan muaj pas muaji. Projekti, me një investim prej 103.9 milionë eurosh, ishte konceptuar si porta e dytë ndërkombëtare ajrore e Shqipërisë dhe një motor i ri zhvillimi për turizmin dhe ekonominë e Jugut.

Çfarë parashikonte kontrata
Kontrata koncesionare e tipit BOT (Build, Operate and Transfer – Ndërto, Opero dhe Transfero) u nënshkrua më 19 prill 2021 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe konsorciumit të përbërë nga Mabetex Group (50%), YDA Group (48%) dhe 2A Group (2%). Vlera e investimit ishte 103.9 milionë euro.

Punimet nisën zyrtarisht më 20 shkurt 2023. Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda 36 muajve, pra deri më 20 shkurt 2026. Ky afat ishte përcaktuar edhe në lejen e ndërtimit.

Kontrata parashikonte gjithashtu një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Nëse aeroporti nuk bëhej operacional as brenda këtij afati, shteti fitonte të drejtën të zgjidhte kontratën për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve. Edhe ky afat skadoi më 20 maj 2026, ndërsa aeroporti nuk ishte ende funksional.

Punimet mbetën larg objektivit
Raporti i inxhinierit të pavarur i datës 20 maj 2026 evidentonte se rreth 70 për qind e punimeve ishin realizuar, por vetëm 57 për qind e tyre ishin certifikuar.

Njëkohësisht, koncesionari nuk kishte dorëzuar grafikun e përditësuar të punimeve dhe raportimet periodike të kërkuara sipas kontratës.

Në fillim të shkurtit 2026, vetë kompania kërkoi shtyrjen e afatit të përfundimit deri në gusht 2026. Pak muaj më vonë u paraqit një plan tjetër që parashikonte përfundimin e projektit brenda 10 muajve, ndërsa në qershor 2026 mbikëqyrësi teknik propozoi që data e re e përfundimit të ishte 1 mars 2027.

Ndryshimi i vazhdueshëm i afateve ngriti pikëpyetje mbi realizueshmërinë e projektit. Ndërkohë skadoi edhe leja e ndërtimit, ndërsa koncesionari nuk dorëzoi formularin e vlefshëm të sigurimit të kontratës, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

Raporti më i fundit i inxhinierit të pavarur arrin në përfundimin se nuk mund të përcaktohet një datë e besueshme për vënien në funksion të aeroportit, pasi ritmi i punimeve është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të konfliktit ndërmjet ortakëve të konsorciumit.

Pse po shkon drejt zgjidhjes kontrata
Nisja e procedurave për zgjidhjen e kontratës duket se mbështetet pikërisht mbi këto shkelje të detyrimeve kontraktore: mosrespektimin e afateve, mosrealizimin e punimeve sipas planit, mungesën e dokumentacionit të kërkuar dhe pamundësinë për të garantuar një afat realist për përfundimin e projektit.

Nëse procedura përfundon me zgjidhjen e kontratës, projekti hyn në një fazë të re, ku shteti do të duhet të vendosë mbi mënyrën e përfundimit të aeroportit, një investim me rëndësi strategjike për transportin ajror dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Kostoja e vonesës
Aeroporti i Vlorës nuk ishte projektuar vetëm si një infrastrukturë transporti. Ai ishte pjesë e strategjisë për zgjerimin e kapaciteteve aeroportuale të Shqipërisë, në një kohë kur trafiku ajror dhe fluksi turistik po rriten me ritme të shpejta.

Çdo sezon i humbur nënkupton më pak turistë, më pak investime, më pak vende pune dhe më pak të ardhura për ekonominë lokale. Një aeroport funksional nuk gjeneron vetëm fluturime, por krijon aktivitet ekonomik për hotelet, restorantet, operatorët turistikë, shërbimet e transportit, bizneset lokale dhe investitorët.

Për këtë arsye, kostoja e vonesës nuk matet vetëm me ndërtimin e papërfunduar, por edhe me përfitimet ekonomike që nuk janë realizuar.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), një aeroport i ri ndërkombëtar jashtë kryeqytetit mund të rrisë ekonominë e rajonit ku ndërtohet me rreth 7–10 për qind, ndërsa ndikimi në ekonominë kombëtare vlerësohet në rreth 0.2–0.3 për qind.

Procedurat e nisura tashmë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare përbëjnë kulmin e një serie vonesash dhe problematikash që kanë shoqëruar projektin që nga fillimi i zbatimit të tij dhe hapin një kapitull të ri për të ardhmen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.



Burimi Monitor.al