Konsumatorët dhe bizneset në Shqipëri do të kenë më shumë kohë për të kundërshtuar transaksionet bankare të paautorizuara ose të ekzekutuara gabim. Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, i botuar në Fletoren Zyrtare, parashikon zgjatjen e afatit për paraqitjen e pretendimeve nga 6 në 13 muaj. Dispozitat e tij do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027.
Ndryshimet synojnë modernizimin e tregut financiar shqiptar, rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Europian.
Përmes zgjatjes së afatit, qytetarët dhe bizneset do të kenë më shumë mundësi për të evidentuar dhe kundërshtuar veprimet bankare që nuk janë autorizuar prej tyre ose që nuk janë realizuar në mënyrën e duhur.
Një tjetër element i rëndësishëm i ligjit lidhet me rritjen e transparencës mbi tarifat dhe kushtet e shërbimeve të pagesave. Gjithashtu, krijohet baza ligjore për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë, me synimin për të nxitur konkurrencën dhe për të ulur kostot për përdoruesit.
Ligji parashikon edhe mekanizmin e njohjes së ndërsjellë të licencave, i njohur si “passporting”. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ky mekanizëm do t’u mundësojë institucioneve shqiptare të licencuara të ofrojnë shërbime pagesash në vendet anëtare. Në të njëjtën kohë, institucionet financiare të licencuara në BE do të mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, në përputhje me rregullat përkatëse.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për institucionet e parasë elektronike. Kuadri i ri përcakton më qartë kriteret e licencimit, kërkesat për kapitalin, mbrojtjen e fondeve të klientëve dhe mbikëqyrjen e aktivitetit të këtyre institucioneve. Synimi është krijimi i kushteve për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja financiare, si dhe zgjerimin e alternativave të pagesave elektronike.
Në vëmendje të ligjit është edhe siguria e sistemit financiar. Për këtë qëllim, forcohen kërkesat për administrimin e rreziqeve teknologjike dhe kibernetike, garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit dhe raportimin e incidenteve madhore apo rasteve të mashtrimit. Njëkohësisht, parashikohen masa për përmirësimin e informimit të konsumatorëve dhe rritjen e aksesit të tyre në të dhënat mbi shërbimet e pagesave.
Këto masa janë pjesë e reformave për modernizimin e sistemit financiar dhe mbështesin objektivin për reduktimin e përdorimit të parasë fizike dhe zgjerimin e pagesave elektronike. Së bashku me ligjin “Për sistemin e pagesave”, të miratuar më herët, kuadri i ri synon të krijojë një treg financiar më konkurrues, transparent dhe të harmonizuar me legjislacionin europian.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, e ka cilësuar miratimin e ligjit si një tjetër hap konkret drejt ndërtimit të një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.
Ligji u miratua në Kuvend më 22 tetor 2026, me 76 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Më 31 tetor 2026, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi shpalljen e tij.










