Afati zbret nga 1 vit në 60 ditë për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktuale dhe tregtare

Me qëllim sigurimin e funksionimit të duhur të tregut të brendshëm në Shqipëri, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme qeveria propozon ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktuale dhe tregtare”.

Projektligji ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të nis shqyrtimi në komisionet parlamentare.

P/ligji ndryshon afatet e pagesave të vonuara (arrears) në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare (operatorëve ekonomikë) kundrejt autoriteteve publike për rastet specifike siç është rasti i transaksioneve tregtare në fushën e shëndetësisë, duke e ndryshuar afatin e pagesës nga 1 vit kalendarik në 60 ditë kalendarike.

Ndryshimi ligjor i propozuar nuk ka pasoja në buxhetin e shtetit për kryerjen e pagesave nga autoritetet publike në fushën e kujdesit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton se detyrimet kontraktuale janë përmbushur në masën 98% dhe pagesat e mbetura janë realizuar brenda vitit, ndërkohë që Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, raporton se asnjë sipërmarrje nuk është mbyllur për shkak të vonesave në pagesa dhe se asnjë prej tyre nuk ka humbur punonjës për shkak të pagesave të vonuara. 

GELDTrade.al