Agjencia e Pronave njofton nisjen e aplikimeve për kompensim të pronave që preken nga ndërtimet informale…

ATP njofton të gjithë ish-pronarët se javën që vjen do të nisin aplikimet për kompensim të pronave që prekem nga ndërtimet informale. Agjencia e Pronave vazhdon shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve për shumë dosje për kompensim të pronave, sakaq ditën e djeshme ATP ka njoftuar se nga 12 janari hapen aplikimet për kompensim të pronave, të cilat janë cenuar nga ndërtimet pa leje. Sipas njoftimit, aplikantët duhet të dorëzojnë pranë zyrave të Agjencisë të gjithë listën e dokumenteve që u kërkohet dhe të plotësojnë formularin e aplikimit, referuat të dhënave që u kërkohen.

“ATP njofton fillimin e procedurave për kompensimin financiar të pronarëve, të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale. Procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve do të fillojë në datën 12.01.2021 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë. ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa bëhet me dije se, subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Por, herën e dytë këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm. Sakaq Agjencia sqaron se çdo shqyrtim i dosjeve dhe nisja e kompensimit do të bëhet në bazë të ligjit për kompensimin e pasurive dhe pronave të paluajtshme private që preken nga ndërtesat pa leje.

“Në zbatim të VKM Nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave tregon se fillimi i procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr. 1083”, thekson ATP.

Në këtë njoftim ATP paraqet të gjitha dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikantët për të përfituar kompensim të pronës. Ndërsa bën me dije se, duhet të paraqiten të sakta të dhënat e llogarisë bankare që duhet të zotërojë çdo aplikant, pasi shuma e parave që do përfitohet do të derdhet në llogaritë e tyre personale menjëherë pas shpalljes fitues.

“Aplikanti duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm; Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP; Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil; Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare, ku përcaktohet edhe re (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; Fotokopjen e dokumentit të identifikimit; Mandat pagesën, në vlerën 2. 000 lekë”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të njoftimit Agjencia e Pronave sqaron aplikantët se, në ato rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2. 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

GELDTrade.al