Agjenti i AI mendohet se fshiu një sezon të plotë të një reality show në Suedi


Sezoni i dytë i versionit suedez të reality show “The Challenge” është shtyrë deri në vitin 2027, pasi materialet e montuara të programit u zhdukën nga serverët e kompanisë së produksionit. Sipas raportimeve të gazetës suedeze Aftonbladet, një agjent i inteligjencës artificiale mund të ketë fshirë materialet, duke shkaktuar një problem serioz vetëm pak javë përpara premierës së planifikuar më 22 nëntor.

Kompania e produksionit Mastiff i kishte dhënë një agjenti AI qasje në serverët e saj, ku ndodheshin versionet e përfunduara të episodeve. Sipas burimeve të cituara nga gazeta, materialet u fshinë dhe nuk mund të rikuperoheshin.

Rrjeti televiziv mohon përgjegjësinë e AI

Rrjeti televiziv TV4, që transmeton programin, konfirmoi shtyrjen e sezonit, por kundërshtoi pretendimet se inteligjenca artificiale ishte përgjegjëse për incidentin.

”The challenge”

Drejtoresha e programeve, Mia Lindqvist, deklaroi se problemi kryesor ishte dështimi i sistemit të kopjeve rezervë (backup), i cili nuk arriti të ruante materialet e montuara. Ajo theksoi se pamjet origjinale janë ende të disponueshme, por ekipi do të duhet të realizojë montazhin nga fillimi.

Më vonë, TV4 sqaroi se hetimi i kompanisë tregoi se zhdukja e materialeve erdhi si pasojë e faktorit njerëzor dhe jo e inteligjencës artificiale.

Incidenti vjen pas disa rasteve të raportuara ku agjentët e inteligjencës artificiale kanë fshirë të dhëna të rëndësishme. Zhvillues dhe investitorë kanë pretenduar më parë se mjete të tilla kanë fshirë databaza operative dhe skedarë personalë.

Rasti rikthen vëmendjen te rreziqet e përdorimit të agjentëve AI me qasje të gjerë në sisteme kritike. Edhe pse këto mjete premtojnë automatizim dhe produktivitet më të lartë, incidentet tregojnë rëndësinë e kufizimit të lejeve dhe krijimit të kopjeve rezervë të besueshme.



Burimi Geekroom.al