Agroturizmi – Krifca: Mbështetje financiare me paketa fiskale favorizuese!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, Frida Krifca përmes një videoje në rrjetet sociale vuri në dukje se 51% e fermave agroturistike menaxhohen nga të rinj nën 45 vjeç që “gjenerojnë ide, punojnë, punësojnë e ndërtojnë me përkushtim histori suksesi”.

“Agroturizmi në Shqipëri është sot një realitet i mjeshtërisë në kulinari, promovimit të identitetit bujqësor, trashëgimisë kulturore, karakterit unik të mikpritjes dhe bujarisë së natyrës shqiptare dhe një infrastrukturë kapacitetesh të përmirësuar ndjeshëm që ka sjellë zhvillim në zona të thella rurale, përmes magjepsjes së vizitorëve vendas e të huaj që janë bërë frekuentues të rregullt të këtyre realiteteve”, shkruan Krifca.

Ministrja bëri të ditur se, qeveria shqiptare mbështet dhe promovon agroturizmin përmes një pakete fiskale favorizuese, mbështetje financiare për të rivitalizuar dhe zhvilluar më tej mjedisin rural, si një aset i rëndësishëm i ekonomisë dhe kulturës sonë.

Sipas informacionit të publikuar në të gjithë vendin numërohen mbi 250 njësi agroturizmi, bujtina, ekoparqe dhe pika kampingu që ofrojnë eksperienca unike, shërbim cilësor, akomodim cilësor dhe gatime të freskëta.