Akoma nuk keni shkuar në Prespë?

Shqipëria është aq e vogël dhe aq e larmishme! Aq e bukur dhe aq e veçantë! Ka aq shumë për të ofruar dhe e njohim aq pak nga afër! Sepse të gjithë dyndemi në të njëjtat vende dhe refuzojmë me kokëfortësi të hedhim sytë nëpër thesare që nuk kanë nevojë fare të zbulohen se janë sheshit.

A keni qenë ndonjëherë në Prespë? Është vetëm dyzet kilometra larg nga Korça, me rrugë të asfaltuar deri në Liqenas, apo Pustec, përgjatë të cilave do t`ju shoqërojë një natyrë e paqtë e larg kaosit të trafikut, sa do ta ndjeni veten në një botë tjetër. Është plazhi që mendoni se i mungon Korçës, për të plotësuar arratisjen ideale drejt të panjohurës, mistikes, aventurës, natyrës, që bëhen bashkë për t’ju dhuruar një ditë jo vetëm ndryshe por edhe të paharrueshme.

Le të themi që udhëtimi fillon nga Korça dhe jo nga Tirana, duke menduar se jeni ndërkohë për një fundjavë në Korçë, ashtu si ne. Dhe pasi keni pirë një “kafeçkë” në Bulevard, në Pazar të Vjetër apo keni shijuar mëngjesin e shijshëm ndënë hijet e gjelbëruara të hoteleve-vila të Korçës, niseni për në Prespë.

Përmes fushave të qëndisura me mollë…

Për ne udhëtimi filloi kur lamë rrugën kombëtare Korçë-Kapshticë dhe morëm kthesën e Zvezdës. Oh nënë! Plantacione të tëra me mollë, sa ment thyheshin degët e që kishin filluar të skuqeshin, dhe kumbullash që prisnin nga çasti në çast të shkonin drejt fuçive të fermentimit e më pas kazanëve të rakisë apo drejt tenxhereve të amvisave për reçelra e gliko. Jo më kot thonë udhëtarët e thekur që magjia nuk është vetëm destinacioni por edhe udhëtimi për atje. E kush mund t`u rezistonte mollëve? Por aty s`kishte asnjeri që të na shiste apo të na falte ndonjë kokërr kështu që dashur pa dashur u bëmë pak hajdutë kumbullash e mollësh ende të athëta. E ishim ende më shijen e mollëve në gojëve kur mbetëm gojëhapur nga panorama e fushës, që shtrihej poshtë këmbëve tona, ndërkohë që i ngjiteshim rrugës për në Liqenas dhe Zvezdën e lamë në të majtë. Nuk ka të dytë si korçarët për t`i qëndisur fushat aq bukur sa kur i sheh nga lart, duken si tapet persian.
Dhe daleni se do t`ju mbetet goja hapur gjithë rrugës, sidomos kur para syve ju shfaqet kartolina e Liqenasit, pikturuar me çatitë e kuqe që feksin mbi gjelbërimin e kodrinës, që zbret butë-butë e vete freskon këmbët në liqen. Dhe tutje si një margaritar blu mbi ballin e bukur të Prespës së Mad.he, ai, Ishuli I Maligradit.

Turistët e huaj kanë ardhur. Po ju?

Me të mbërritur në Liqenas, apo Pustec, siç quhet pas ndryshimeve administrative, na bëri përshtypje gjallëria. Ndryshe nga ç`kishim menduar nga qetësia dhe mungesa e trafikut rrugës, fshati ishte plot me turistë të huaj. Ata zbrisnin në qendër te Kisha e restauruar e fshatit, pinin një birrë në lokalin e qendrës dhe niseshin për në liqen, ku i prisnin varkat që do t`i çonin në ishull. Prespa është park ndërkufitar dhe turistët vinin kryesisht nga ana e Maqedonisë, përmes Goricës. Edhe Liqenasi është fshat me popullsi minoritare maqedonase dhe kjo ndjehej jo vetëm nga gjuha që flisnin mes njëri-tjetrit dhe muzika e radios por edhe nga birra maqedonase dhe produkte të tjera konsumi që vinin kollaj nga vendi fqinj.
Megjithatë, na bëri përshtypje emri i djalit që na shërbeu birrat në bar, Ilia Gjergji. Ilia ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe në vjeshtë do të shkonte të studionte për sporte në Bullgari. Tani po u ndihmoj prindërve dhe studimeve të mia, na thotë buzagaz, teksa na shërben birrat “Skopsko”. Pyetjes tonë se sa turistë vinin në Prespë, Ilia i përgjigjet se numri i tyre po shtohet dhe shpreson se do të ketë aq shumë sa të quhet sezon turistik. Të gjithë shkojnë në ishull por edhe fshati është i bukur për t`u vizituar. Ka kisha, shtëpi karakteristike e mbi të gjitha njerëz buzgaz, që të presin me dashamirësi (këtë e pamë vetë në fakt edhe kur po fotografonim një grup nënash më shami të bukura, ulur në sofatin e njërës prej shtëpive, e që na pritën me buzeqeshjen vesh më vesh).