Një përplasje e pazakontë mes artit, teknologjisë dhe shtetit ka përfunduar në dyert e Gjykatës Administrative. Aktorja e Teatrit Kombëtar, Anila Bisha, ka vendosur të kërkojë drejtësi ndaj përdorimit të imazhit dhe zërit të saj në ndërtimin e ministres virtuale “Diella”, një figurë e prezantuar nga qeveria si simbol i inovacionit dhe inteligjencës artificiale.
Sipas Bishës, marrëveshja e firmosur më 3 dhjetor 2024 me kompaninë “Apel” parashikonte qartë se imazhi dhe zëri i saj do të përdoreshin vetëm për asistentin virtual të portalit e-Albania. Çdo përdorim tjetër, veçanërisht në role të reja publike, duhej të bëhej vetëm me miratimin e saj të posaçëm. Kjo klauzolë, sipas padisë, është shkelur kur avatari “Diella” u shfaq publikisht si ministre për Inteligjencën Artificiale, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e aktores.
E befasuar nga prezantimi i Diellës në shtator 2025, Bisha pretendon se ndaj saj është krijuar një “duplikat digjital”, i cili jo vetëm cenon të dhënat personale, por rrezikon edhe karrierën e saj artistike. Ajo argumenton se identifikimi publik me figurën e një ministreje virtuale e bën pothuajse të pamundur interpretimin e roleve të tjera në skenë dhe ekran.
Për këtë arsye, aktorja ka kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit dhe zërit të saj deri në përfundim të procesit gjyqësor, si dhe ka paralajmëruar një kërkesë për dëmshpërblim prej 1 milion eurosh, së bashku me kamatat ligjore.
Nga ana tjetër, qeveria e ka cilësuar padinë si të pabazë. Drejtoresha e Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa, ka theksuar se Bisha po ushtron një të drejtë ligjore, por se vendimi përfundimtar i takon gjykatës.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh Hasa në një reagim për mediat.










