Albpetrol do të monitorojë ndotjen mjedisore, që shkaktohet nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës. Ky dikaster ka hapur një tender me fond limit 12.6 mln lekë, për monitorimin e 7 lejeve mjedisore në vendburimet e Patosit, Fierit dhe Kuçovës, ndërkohë që referuar dokumenteve të tenderit konsulenti do të duhet të kryejë matjet për shkarkimet në tokë, ujë dhe ajër në 80 pika monitorimi.
Po ashtu, monitorimi do të kryhet edhe për zhurmat dhe vibracionet. Hapja e këtij tenderi vjen vetëm pak kohë pasi emisioni investigativ “EkoSkaner”, në TV SCAN denoncoi faktin se institucionet iu lënë “dorë të lirë” bizneseve të pajisur me leje mjedisi për të kryer vetëmonitorime, ndonëse verifikimi i rezultateve është detyrim ligjor. Të dhënat treguan se verifikimet mungonin edhe në zonat ku mundësia e ndotjes është tejet e lartë, sikurse është Patos – Marinza, ku ushtrohet aktiviteti i nxjerrjes së naftës.
Ndërkohë që, monitorime alternative të kryera përmes laboratorëve të certifikuar nxjerrin në pah ndotjen tej normave të lejuara, të shkaktuar nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës. Ekspertët argumentuan se autoritetet shtetërore kanë detyrimin ligjor të kryejnë monitorime, ndërkohë që moszbatimi i ligjit në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, po shkakton pasoja serioze në shëndetin e qytetarëve si dhe dëme ekonomike në drejtim të moszbatimit të parimit “ndotësi paguan”.
Ndërkaq, sipas tenderit të shpallur nga Albpetrol, periudha e monitorimit do të jetë 12 – mujore, duke specifikuar se matjet do të duhet të bëhen çdo tre muaj për lejet e tipit A dhe çdo 6 muaj për lejet e tipit B për të 80 pikat e monitorimit.
Gjithashtu, operatori duhet të studiojë, përpilojë dhe dorëzojë brenda 3 mujorit të parë nga momenti i lidhjes së kontratës: Planin e menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, Programin e Menaxhimit Mjedisor, Vlerësimin e Riskut Mjedisor, Programin e Menaxhimit të Riskut Mjedisor dhe planin e masave për minimizimin / reduktimin e emetimeve të amoniakut nga burimi i shkarkimit të squfurit, etj.