Altman kërkon ndjesë në emër të OpenAI pasi kompania nuk lajmëroi policinë para sulmit fatal në Kanada


Drejtori i OpenAI, Sam Altman, ka kërkuar falje publike pasi kompania nuk njoftoi autoritetet për aktivitetin online të një personi që më vonë kreu një sulm vdekjeprurës në Tumbler Ridge, në British Columbia. Në letrën e publikuar, ai shprehu ngushëllimet më të thella për komunitetin dhe pranoi se kompania duhej të kishte vepruar ndryshe.

Ngjarja tragjike ndodhi më 10 shkurt, kur një 18-vjeçare, Jesse Van Rootselaar, vrau fillimisht nënën dhe vëllain e saj në shtëpi, përpara se të shkonte në një shkollë lokale dhe të hapte zjarr. Si pasojë, humbën jetën 8 persona, përfshirë pesë nxënës dhe një edukator, ndërsa 25 të tjerë u plagosën. Pas sulmit, autorja vrau edhe veten.

Pas hetimeve, OpenAI deklaroi se që në qershor kishte identifikuar llogarinë e autores për shkak të përmbajtjeve që lidhen me aktivitete të dhunshme. Kompania e ndaloi llogarinë për shkelje të rregullave, por vendosi të mos e referonte rastin tek autoritetet, pasi aktiviteti nuk arriti pragun e nevojshëm për raportim. Ky vendim më vonë u vu në pikëpyetje nga autoritetet lokale.

Kryeministri i provincës, David Eby, deklaroi se OpenAI mund të kishte pasur mundësinë të parandalonte tragjedinë. Në reagimin e tij, ai e cilësoi kërkesën për falje si të nevojshme, por të pamjaftueshme përballë dëmit të madh të shkaktuar.

Në letër, Altman tha se kishte biseduar me autoritetet lokale dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët shprehën zemërim dhe dhimbje të thellë. Ai theksoi se asnjë familje nuk duhet të përjetojë një tragjedi të tillë dhe premtoi se kompania do të punojë më ngushtë me qeveritë për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.



Burimi Geekroom.al