Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se kompania holandeze “Shell” është në prag të një zbulimi të madhe nafte në Shpirag, por për përgjigjen përfundimtare do duhet të pritet edhe për pak muaj.
Ajo që Rama ka thënë me siguri, është se do të krijohet një Fond Sovran si në rastin e Norvegjisë, që do të menaxhojë të ardhurat e mëdha që do të gjenerohen. Ambasadori shqiptar në Norvegji, Virgjil Kule sjell disa të dhëna konkrete për rastin norvegjez.
Shkruan Virgjil Kule:
FONDI SOVRAN I NORVEGJISE (krijuar me te ardhurat nga nafta)
Në vitin 1969 Norvegjia zbuloi në detin e Veriut një nga fushat naftëmbajtëse offshore më të mëdha në botë. Doli një sasi e madhe nafte e cila filloi të shitet anë e kënd globit. Ekonomia e vendit pësoi një ngritje të paparë…
Parlamenti vendosi që të ardhurat nga nafta dhe gazi të përdoreshin me shumë kujdes në mënyrë që të mos prishej ekulibri i tregut, prandaj 20 vite më pas, në vitin 1990 parlamenti miratoi legjislacionin për atë që u quajt Fondi Global Qeveritar i Pensioneve, i ndryshequajtur Fondi Sovran.
Paratë fillestare u derdhen në këtë fond 6 vite më vonë, në vitin 1996. U vendos gjithashtu që fondi të investohej kryesisht jashtë shtetit. Ai u shpërnda gradualisht në rreth 9000 kompani në 70 vende të botës. Shpërndarja u bë për të zvogëluar riskun e humbjes së parave.
Aktualisht Norvegjia merr përqindje fitimi nga këto kompani të cilat mbikqyren vazhdimisht nga ministria e financave. Fondi zotëron gjithashtu qindra ndërtesa në disa nga qytetet kryesore të botës prej të cilave grumbullon qera të konsiderueshme.
Gjatë periudhës 2022-23 Fondi siguroi mesatarisht 10 përqind të ardhura neto nga investimet. Vlera në treg e Fondit ka arritur afërsisht ne 1.433 trilionë dollarë. (1 trilion = 1milion miliona)
Cdo vit qeveria norvegjeze 20 përqind të buxhetit e krijon mbi bazën e këtij fondi. Kjo pjesë e buxhetit destinohet kryesisht për rritjen e mirëqënies sociale, shëndetësinë, arësimin dhe pensionet.