Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i ka dorëzuar sot certifikatën kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e një parku energjetik me kapacitet 600 MW në Tropojë.
Gjatë aktivitetit të zhvilluar për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u dha edhe certifikata e autorizimit për realizimin e projektit. Nga ana e CWP merrnin pjesë CEO i kompanisë në fjalë për Europën si dhe përfaqësues të tjerë.
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku theksoi se investimi i kompanisë amerikane është një tregues i besimit të investitorëve të huaj ndaj Shqipërisë dhe politikave të ndjekura nga qeveria në sektorin e energjisë.
“Gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese private fotovoltaike të instaluara dhe që ndodhen në operim, si dhe 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhuese”, theksoi Balluku.
Parku eolik i Tropojës do të jetë i pari i këtij lloji ne vendin tonë. “Në energjinë e erës, për herë të parë në historinë tonë energjetike, Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, nëpërmjet projektit të CWP-së, me një kapacitet të pritshëm për t’u instaluar prej 600 MW”, u shpreh Balluku.
Sipas Zv.Kryeministres CWP është një kompani lider në energjitë e rinovueshme në Evropën Juglindore dhe angazhimi i saj në Shqipëri do të sjellë, veç të tjerash, edhe përvojë të pasur dhe eksperiencë globale të projekteve të këtij lloji dhe të kësaj shkalle.
“Me afro 6 GW kapacitete energjetike të zhvilluara ndërkombëtarisht dhe një portofol projektesh në zhvillim me një kapacitet të kombinuar prej 7 GW në të gjithë Evropën Juglindore, CWP prezantohet si një garanci e fortë për një histori të re suksesi me Parkun eolik të Tropojës”, deklaroi Balluku.










