Amnistia / 600 të burgosur përfitojnë, zbardhet dokumenti i plotë i parlamentit

Të ndodhur në kushtet e mbipopullit në burgje, aktualisht, kjo masë do të ndihmonte në uljen e numrit të personave të dënuar që qëndrojnë në këto ambiente”, është një nga frazat e përdorura në raportin për Amnistinë që do të kalojë sot në Kuvend.

Gjatë 10 viteve të fundit, janë aplikuar amnisti në vitin 2014, 2016 dhe 2020 duke zbatuar politike lehtësuese për vepra penale të lehta.

Dokumenti pretendon se Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe KLGJ e KLP kanë dhënë mendimet e tyre për draftin e propozuar.

“Nga amnistia pritet të përfitojnë 600 të dënuar” thuhet në relacion. “Të përjashtohen nga kjo amnisti, si konkretisht: veprat penale kundër jetës e personit, si vrasja, plagosja, dhuna në familje, veprat penale kundër mjedisit, terrorizmit, korrupsioni” thuhet në relacion.

Ndërkohë dokumenti është më konkret për veprat që amnistohen;

Amnistohen:

•             Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.

•             Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.

•             Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

•             Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

•             Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Të gjithë të dënuarit përfitojnë nga kjo amnisti, duke parashikuar zbritje të dënimit, përkatësisht për gratë dhe të miturit 1 vit e gjysmë dhe për burrat 1 vit duke përjashtuar disa persona që kanë kryer vepra penale kundër jetës, ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm apo subjektet që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Lidhur me rastet e ndjekjes penale për vepra penale të lehta të parashikuara me dënim maksimumi deri në 2 vjet, të cilat përfshihen në këtë amnisti, shuhet ndjekja penale, procedimi penal apo kallëzimet e rregjistruara deri në 30.11.2023, përveç 24 veprave përjashtuese që i parashikon dispozita përkatëse.

Afati i shtrirjes së amnistisë për shuarjen e dënimit dhe shuarjen e ndjekjes penale është data 30.11.2023.

Nuk amnistohen:

Nëse një person i dënuar përfiton nga kriteret e përmendura më lart, nuk përfiton nga amnistia, nëse veprat penale që ka kryer janë parashikuar si kritere ndaluese në këtë projektligj. Projektligji përjashton nga fusha e tij e zbatimit kategoritë e veprave penale që parashikojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore ose të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar, të cilat në grupime të përgjithshme veprash penale, janë veprat penale të listuara në ligj lidhur me:

•             krimet kundër njerëzimit;

•             krimet e rënda kundër jetës;

•             veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;

•             krimet seksuale;

•             veprat penale kundër lirisë së personit;

•             veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;

•             veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

•             vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

•             vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;

•             veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;

•             vepra penale kundër mjedisit;

•             krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

•             krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

•             vepra me qëllime terroriste;

•             krime kundër autoritetit të shtetit;

•             vepra penale kundër drejtësisë;

•             vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

•             vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

 

Njëkohësisht, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara:

•             në nenet 79, 79/a, 79/b, 79/c, të Kodit Penal,

•             personat e dënuar me burgim të përjetshëm,

•             personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, përjashtohen nga amnistia personat që i janë shmangur drejtësisë. Ky parashikim është bërë për shkak se qëllimi i amnistisë është rehabilitimi i personave dhe personat që i shmangen drejtësisë nuk mund të përfitojnë nga kjo masë e cila në thelb ka humanizmin dhe riintegrimin, pasi me veprimet e tyre kanë treguar se nuk janë në kushtet e rehabilitimit dhe nuk synojnë pikërisht këtë riintegrim.