Një analizë e Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, i kryer mbi 34 mijë listime për qiradhënie për periudhën janar 2017 – dhjetor 2022, tregon se çfarë ka ndodhur veçanërisht në kryeqytet dhe bregdet me tregun e qirave. Sipas sondazhit, për vitin 2022, niveli mesatar i çmimeve për metër katror të qirasë mujore në Tiranë ishte 653 lekë, në bregdet ishte 435 lekë, ndërsa në zonat qendrore ishte 416 lekë. Krahasuar me vitin 2021, rritja vjetore e çmimeve të qirave rezultoi: për Tiranën 13.4%, për bregdetin 24.1%, ndërsa për zonat qendrore 17.3%.
Pas tërmeteve të vitit 2019, çmimet e qirave në kryeqytet mbeten relativisht të pandikuara; pasojat ekonomike nga tërmetet duket se nuk e cënuan trendin e tyre. Pothuaj e njëjta gjë konstatohet edhe në periudhën e izolimit ekonomik për shkak të COVID-19, në tremujorin e dytë 2020; vërehet një ulje e lehtë e trendit të çmimeve por jo ndonjë ndryshim ekstrem.
Qiratë në Tiranë, prej vitit 2017, shfaqin një trend gradual rritës deri në vitin 2020. Gjatë këtij viti shfaqet njëfarë qendrueshmërie dhe me fillimin e vitit 2021 e në vijim, ai përshpejtohet dukshëm.
Gjatë dy viteve të fundit vërehet një tendencë rritëse e qirave në linjë me rritjen e çmimeve të apartamenteve, përkatësisht me 13.4% në vit në Tiranë, 24.1% në vit në zonat bregdetare, dhe 17.3% në vit në zonat qendrore të vendit.
Gjatë dy viteve të fundit të periudhës kohore të shqyrtuar, qiratë e kryeqytetit janë rritur mesatarisht me 1.02% në muaj. Seria për zonat bregdetare fillon me nivelin më të ulët të qirave në vend, dhe deri në vitin 2020 vijon me një luhatje që kulmon në mesin e vitit 2018, dhe në fundin e 2019-ës (pikërisht kur ekonomia vendase goditet nga fatkeqësitë natyrore) bie sërish në nivelin e fillimit të serisë. Si në rastin e kryeqytetit, gjatë dy viteve të fundit trendi i qirave në bregdet përshpejtohet dukshëm, veçanërisht gjatë vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, qiratë në bregdet janë rritur mesatarisht me 1.8% në muaj.
Qiratë në zonat qendrore të vendit vërehen të jenë relativisht stacionare, me një trend të lehtë rënës deri në fundin e vitit 2019. Ato ulen dukshëm nën nivelin e trendit gjatë izolimit ekonomik për shkak të COVID-19, çka tregon se tregu i qirave pësoi goditje në të gjithë vendin, me përjashtim të kryeqytetit. Hapja e ekonomisë pas periudhës së izolimit shënon fillimin e përshpejtimit të trendit të qirave për këtë ndarje gjeografike, e cila gjatë dy viteve të fundit paraqet një rritje mesatare mujore prej 1.3%.
Tregu i qirave të kryeqytetit shfaq një reagim të dukshëm kundrejt presioneve inflacioniste që përfshinë Europën dhe vendin tonë duke filluar nga tremujori i dytë 2022, pasi ka një thyerje të qartë të vijueshmërisë rritëse të trendit dhe luhatje të shpeshta të tij gjatë këtij segmenti kohor, konkludon vrojtimi i bankës së Shqipërisë.