Apple ka nisur një valë të re paralajmërimesh për sigurinë kibernetike, duke njoftuar përdorues në 110 vende se iPhone, iPad ose Mac-et e tyre mund të jenë shënjestruar nga “mercenary spyware” – një kategori spyëare shumë të sofistikuar që mund të komprometojë pajisjet nga distanca.
Njoftimet u dërguan më 13 gusht dhe u drejtohen zakonisht një numri të vogël individësh të përzgjedhur për shkak të aktivitetit apo profilit të tyre. Gazetarët, aktivistët, politikanët dhe diplomatët janë ndër grupet që historikisht janë përballur me sulme të tilla. Një nga shembujt më të njohur është Pegasus, spyware i zhvilluar nga kompania NSO Group.
Apple nuk i lidh publikisht paralajmërimet me një sulmues, kompani apo qeveri specifike, pasi detajet mbi mënyrën se si zbulohen sulmet mund t’u ndihmojnë operatorëve të spyware-it të shmangin mekanizmat e sigurisë.

Kompania thotë se paralajmërimet bazohen në inteligjencën e saj të kërcënimeve dhe përfaqësojnë sinjale me nivel të lartë besueshmërie, edhe pse hetimet nuk mund të garantojnë gjithmonë siguri absolute.
Apple ka përditësuar gjithashtu mënyrën e komunikimit. Përveç email-it dhe njoftimeve të Apple Account, përdoruesit mund të marrin tashmë paralajmërimin direkt në ekranin e kyçur të pajisjes.
Kompania rekomandon përditësimin e menjëhershëm të sistemit, përdorimin e një kodi të fortë, aktivizimin e autentikimit me dy faktorë dhe Lockdown Mode, i cili redukton sipërfaqen e sulmit. Apple deklaroi në mars se nuk kishte dijeni për ndonjë sulm të suksesshëm spyware ndaj një pajisjeje ku Lockdown Mode ishte aktiv.
Që nga viti 2021, Apple ka paralajmëruar përdorues në më shumë se 150 vende për kërcënime të këtij lloji.










