ARRSH hap tenderët e mbikëqyrjes për investimet në Unazën e Tiranës si dhe lidhjen me Bulevardin e Ri

Dhjetë ditë pas çeljes së procedurave në seri për ndërtimin e disa loteve të Unazës së Jashtme të Tiranës si dhe lidhjes së Sheshit Shqiponja me Bulevardin e Ri, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi procedurat e mbikëqyrjes që do të shohin zbatimin.

Fondi limit në total për të shtatë procedurat e mbikëqyrjes është rreth 855 mijë euro duke nisur nga supervizioni i Loteve 4,5,6 dhe 7 të Unazës së jashtme të Tiranës si dhe Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja- Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT” si dhe Supervizion Punimesh “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”.

Këto janë disa nga investimet kyçe që po prokurohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar këtë vit për nga vlera që mbarin ato. Kujtojmë që në 16 gusht ARRSH çeli disa tenderë që në total kanë vlerën e fondit limit rreth 108 milionë euro.

E para është ajo për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 me një fond limit 2 miliardë lekë. Më pas është ndërtimi i lotit 5 me fond 1.93 miliardë lekë dhe vazhdon me ndërtimin e lotit 6 dhe 7 me fonde limite përkatësisht 1.8 miliardë lekë dhe 2.35 miliardë lekë.