Sebastian Grams, shefi i Audi Sport, ka konfirmuar se 10 modele të reja Audi RS do të lansohen deri në vitin 2026, duke përfshirë edhe disa modele me derivate të cilat do të jenë të fundit të këtij versioni, e edhe një RS komplet të ri elektrik, i cili do të lansohet në vitin e ardhshëm.
Audi Sport këtë vit feston 40 vjetorin e saj, me degën e performancës së Audi – që gjithashtu mbikëqyr aktivitetet e garave sportive të markës duke përfshirë planet e saj të ardhshme në Formula 1 – duke u futur në dekadën e saj të ardhshme me një sërë modelesh të reja.
Elektrifikimi do të luajë një rol gjithnjë e më të madh në linjën e ardhshme RS të Audi Sport me një version RS të Q6 e-tron të ardhshëm të Audi që pritet të jetë modeli i parë i ri që do të arrijë vitin e ardhshëm. I pyetur nëse modeli i ardhshëm RS do të ishte tërësisht elektrik, Grams tha: “Po, dhe kjo veturë do të arrijë në vitin 2024”, raporton Auto Express.
“Do të jetë një veturë komplet e re, dhe mund t’u themi se do të bazohet në platformën PPE (Premium Platform Electic), do të zhvillohet bashkë me Porsche-në, kështu që do të ketë performancës të mjaftueshme”, shtoi ai.
Akoma nuk dihet asgjë për përmasat e baterive ose performancën e RS Q6 e-tron, por me platformën PPE që do të jetë një evolucion nga ajo platformë që përdoret në Audi e-tron GT, homologu i saj RS dhe Porsche Taycan, ajo mund t’u jap këtyre veturave një bateri prej 800 volt, sistem motorik me 627 kuaj fuqi dhe mund t’u ofrojë karikim të shpejtë me kapacitet prej 350kW.
Ajo çfarë Grams konfirmoi është se modelet e ardhshme RS mund të marrin një pamje edhe më të “egër”, kjo për t’i diferencuar ato edhe më tutje Audi-të “më të nxehta” nga veturat e tjera të shpejta tashmë të elektrizuara.
“Ne i kemi parë imazhet dhe e dimë se si duken modelet e ardhshme elektrike të RS”, deklaroi Grams, duke shtuar: “Sot do të thosha se nuk kemi shumë dallime mes një e-tron GT dhe një RS e-tron GT. Dhe një mësim për ne është që ne duhet të bëjmë një diferencim të mirë në aspektin e dizajnit – duke i bërë ato më të ‘egra’; duke i bërë ato vërtet të ndryshme nga modeli i një Audi-je normale”.