AZHBR përgatit akreditimin e masave mjedisore
Zhvillimi i pyjeve do të përfshihet për herë të parë, në një paketë mbështetëse nën programin IPARD III, për të cilën Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po punon nën konsulencën e Bankës Botërore.
“Kemi ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi e ndërveprimi me Bankën Botërore për të cilën jemi shumë krenarë”, shprehet drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.
Sipas saj, Banka ka shërbyer si udhërrëfyese për AZHBR-në dhe një partnere e fortë për zbatimin e projektit të Shërbimeve Mjedisore së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe qeverinë suedeze për ruajtjen, përmirësimin e ekosistemeve malore, zgjerimin e burimeve pyjore dhe parandalimin e zjarreve në pyje.
“Diskutuam mes bashkëpunëtorësh për mësimet e nxjerra, për impaktin e jashtëzakonshëm në komunitetet rurale të thella dhe për hapat që do të vijojnë”, tha Krifca, teksa shpjegoi se, “ishte një ushtrim i jashtëzakonshëm ky për AZHBR në përgatitje të akreditimit të masave mjedisore në programin IPARD III për të cilat morëm urime nga partnerët tanë”.
Asistenca teknike që do të sigurohet nga projekti për të hartuar masën dhe për të përgatitur paketën e akreditimit do të sigurojë financim të qëndrueshëm për fermerët dhe përdoruesit e pyjeve dhe kullotave, shoqatat e përdoruesve të tyre në zonat rurale dhe malore. Objektivat e zhvillimit të projektit janë përmbushur: Sipërfaqja e tokës ku janë miratuar praktika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës është 9452 ha, përkundrejt synimit përfundimtar prej 9000 ha; dhe numri i njerëzve me përfitime monetare dhe jomonetare arriti në 3386, përkundër objektivit prej 3000 (nga të cilat përfituese femra janë 1010, përkundrejt synimit përfundimtar të 1000).
Ndërkohë Banka Botërore ka bërë një rivlerësim të ecurisë së projektit të saj që zbaton në Shqipëri, për shërbimet mjedisore i nisur qysh në vitin 2015 duke nënvizuar se do të shtyjë ecurinë e tij deri në maj 2021.