Ministrja e Infrastrukturës dhe energjetikës tha në kongresin e Partisë Socialsite se në Shqipëri tashmë po ndërtohet një e ardhme e sigurt. Ajo tha se shumë projekte tashmë janë realizuar ndërsa shumë të tjerë kanë avancuar.
Balluku tha se Partia Socialiste di të qëndrojë fortë si në ditët e vështira edhe në ditët e suksesit, ndërsa tregoi më me detaje për projektet në infrastrukturë.
“Të dashur delegatë, shokë e shoqe! Është emocion i veçantë të ndodhesh në Kongresin e Partisë socialsite. Ne jemi ajo parti që dimë të qëndrojmë në ditët e vështira dhe në ditët e suksesit. Ne jemi ajo parti që dimë të mbështesim njëri-tjetrin edhe në momentet më deçizive. Në vitin 2021, sërish në këtë sallë të gjithë së bashku kemi prezantuar vizionin e Partisë Socialiste 20-30 i cili padyshim nuk ishte një titull futuristik, as ndonjë titull për të rrokur mendjet e njerëzve dhe pa diskutim sot që flasim është kthyer në një udhërrëfyes. Udhërrëfyes i cili tashmë ka nisur zbatimin. Ne nuk flasim me video e 3D apo me përralla, ne flasim me vepra, flasim me punë të cilat flasin shumë më mirë se fjalët.
Unë do e nisja me paketën bazë të zhvillimit, me kolonat bazë të zhvillimit që janë infrastruktura dhe energjia dhe që janë në funskion të gjithë zhvillimit ekonomik të vendit. Kemi nisur projekte të shumta të cilat sot janë të prekshme, janë të dukshme e ju i shikoni kudo. Duke nisur nga korridore të rëndësishme të infrastrukturës si rasti i korridorit blu, ku një pjesë e trasesë është ngritur. Nga ana tjetër të gjitha kontratat që do të vijojnë janë në faza të avancuara. Pas një punë shumë të fortë që kemi bërë për të bindur komisionin europian, kemi arritur që korridori i 8 të jetë pjesë e rrjeteve pan-europiane të transportit,. Puna në këtë korridor ka nisur.
Po ndërtohet në të gjithë Shqipërinë. Po ndërtohet një e ardhme e sigurt, jo si ç’bëhej dikur. Jemi ata që zgjidhim problemet, por edhe kur nuk i zgjidhim, siç thotë kryetari jonë Edi Rama, i dëgjojmë ato. Infrastruktura nuk mbetet vetëm te rruga, ajo sot është një infrastrukturë moderne e bazuar në një vizion të qartë i cili përmban edhe zhvillimin e aviacionit. Një aviacion civil i cili ka mundësuar ardhjen nga ajri të miliona vizitorëve të huaj për të shijuar bukuritë shqiptare e për tu bërë fansa të vendit tonë”,-tha Balluku.
Balluku theksoi si pjesë të planit të zhvillimit të infrastrukturës dhe portet e marinat.
“Në planin tonë të zhvillimit tonë infrastrukturor janë portet dhe marinat. Shqipërinë e ka bekuar Zoti me detin me të bukur, me dy, ai me rërë dhe ai i thellë. Na është dashur të shohim gjithë strategjinë dhe kemi arritur në përfundimin që Shqipëria meriton një port të ri që i përgjigjet nevojës së zhvillimit ekonomik për dekadat e ardhshme. Një port që do të largojë zhurmën, pluhurin e trafikun nga Durrësi pasi ai do kthehet në një nga qytetet më të bukura të Mesdheut. Dy porte, në Strugë dhe Prishtinë”, shtoi ajo.