Balluku: Synojmë të arrijmë 1 miliard eksporte deri në 2030

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional theksoi se tregu i punës ka nevojë për arsimin profesional.

Për të arritur këtë shifër, sipas Balluku, duhet që blegtorët, bujqit të bashkohen në forma të një korporate bujqësore për të prodhuar sasi më të mëdha.

Nga ana tjetër një sektor i konsoliduar është ai i bujqësisë. Bujqësia dhe blegtoria ka qenë gjithmonë e rëndësishme për vendin tonë, mban një pjesë dhe një përqindje të rëndësishme të prodhimit bruto vendas, por nga ana tjetër bujqësia nuk është siç ka qenë më parë. Sot nuk punohet bahçja, sot duhet të bashkohen forcat. Sot një treg në rritje kur eksportet kanë arritur mbi 500 milionë në vit dhe me synimin e pastër që të arrijmë 1 miliard eksporte deri në 2030 duhet që blegtorët, bujqit të bashkohen në forma të një korporate bujqësore për të prodhuar kështu sasi më të mëdha. Sasi më të mëdha të varieteteve të njëjta. Pra nuk mundet më që në treg të ketë domate të tipeve të ndryshme, nuk mundet më që në treg të ketë fasule të tipeve të ndryshme, pasi sot kompanitë dhe pikat e grumbullimit kërkojnë sasi të mëdha për tregun e Ballkanit, por edhe të Europës. Kemi arritur gjatë vitit të kaluar të depërtojmë me prodhimet e zonës së Divjakës dhe të gjithë pjesës së Myzeqesë deri në supermarketet e Zvicrës. Përmend supermarketet e Zvicrës pasi kanë kërkesa edhe më të larta se vetë Bashkimi Europian përsa i përket produkteve bio.

Patjetër një treg shumë i konsoliduar i cili vjen vetëm në rritje është edhe ai i aviacionit. Kemi një aeroport ndërkombëtar në Tiranë, një aeroport ndërkombëtar në Kukës dhe një aeroport ndërkombëtar i cili është në fazat e përfundimit, ai i Vlorës. Aeroporti ndërkombëtar më i madh në zonën e Ballkanit perëndimor, por që nga gjithë plani operimit synon të jetë më i madhi në Ballkan përsa i përket volumeve akomoduese. Një industri e re e cila ka shpërthyer tashmë dhe kushdo nga ju duke parë vetëm shifrat që ne herë pas here publikojmë kupton që aeroporti ynë, ai ndërkombëtar i Tiranës, renditet në vend të parë përsa i përket flukseve të trafikut që ulen dhe ngrihen nga Tirana, ndërkohë që navigimi ajror shqiptar prej disa muajsh qëndron në vend të parë përsa i përket sasisë, volumit të përpunimit të mbikalimeve në territorin shqiptar.
Unë mund të përmend shumë e shumë fusha të tjera si teknologjia e informacionit aty ku të gjithë të rinjtë kanë vëmendjen sot e të tjera të cilat po zhvillohen në mënyrë konstante dhe të konsoliduar. Çfarë na duhet ne? Qeveria shqiptare vitin 2024 e ka shpallur si viti ku ngritja e kapaciteteve njerëzore ka padyshim prioritetin kryesor për ne dhe padyshim fokusin e të gjithë kabinetit qeveritar, pasi kjo është një kërkesë e kryeministrit i cili e ka identifikuar që në krye të herës. Nëse mbani mend atë thënien, ka punë po s’ka profesionistë, ku të gjithë qeshnin me këtë thënie, sot është një realitet i prekshëm. Tregu ka punë, tregu ka kërkesë, ata që na mungojnë janë profesionistët e profilizuar, se për këtë jemi këtu sot.