Balluku takohet në Athinë me Sekretarët amerikanë të Energjisë dhe Punëve të Brendshme


Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi takime në Athinë me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe Sekretarin amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum. Takimet u mbajtën në kuadër të punimeve të Samitit të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), një nismë strategjike që synon forcimin e bashkëpunimit energjetik midis SHBA-së dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.

Samiti, i organizuar nga Departamenti Amerikan i Energjisë në bashkëpunim me qeverinë greke dhe Qendrën Globale të Energjisë të Këshillit Atlantik, mblodhi në Athinë ministra energjie, ekspertë dhe përfaqësues politikë nga rajoni për të diskutuar sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër.

Në një deklarim nga Athina, Balluku vlerësoi mesazhin e Sekretarit Wright si një vizion të qartë për rritjen e sigurisë energjetike dhe për bashkërendimin e shteteve në reduktimin e varësisë nga gazi rus. Ajo theksoi gjithashtu se prania e Sekretarit të Punëve të Brendshme, Doug Burgum, nënvizon rolin kyç që energjia luan si në sigurinë ekonomike, ashtu edhe në atë globale.

“Sekretari i Energjisë, Chris Wright, adresoi fjalën e tij me një vizion frymëzues, i cili kishte në qendër sigurinë energjetike, bashkëpunimin transatlantik, por mbi të gjitha bashkërendimin e shteteve për të minimizuar impaktin e gazit rus në Europë,” u shpreh Balluku.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum të nivelit të lartë konfirmon angazhimin e vendit për të qenë aktor aktiv në dialogun ndërkombëtar mbi tranzicionin energjetik, diversifikimin e burimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit në rajon.

P-TEC shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e politikave dhe ideve që synojnë reduktimin e varësisë nga burimet e paqëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e investimeve në teknologji të pastra, në përputhje me objektivat globale të transformimit të gjelbër.



Burimi Monitor.al