Banka e Shqipërisë pret një politikë më lehtësuese në ofertën për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm

Banka e Shqipërisë pret një politikë më lehtësuese në ofertën për kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm.

Vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë tregoi se bankat tregtare, shtrënguan standardet e kreditimit për bizneset në tremujorin e parë të vitit që u ndikua nga perceptimi mbi rrezikun lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe mbi aftësinë paguese dhe me gjendjen aktuale të bizneseve.

Ndërsa për periudhën në vijim pritet një lehtësim për standardet e kreditimit për bizneset e vogla e të mesme për qëllim financimi të investimeve dhe në mbulimin e nevojave për likuiditete.

Lehtësimi konsiston në kushtet e termave të përgjithshëm të kreditimit, në aplikimin e  marzheve më të ulëta mbi kreditë me rrezik, por edhe nga komponentët jo çmim, nëpërmjet rritjes të madhësisë së kredisë dhe kushtëzimeve më të liberalizuara në marrëveshjet e kredive.

Sistemi bankar ka zgjeruar portofolin e kreditimit këtë fillimviti për biznesin e vogël, në përgjigje të rritjes së sipërmarrjeve të reja në këtë sektor që është stimuluar përmes zbatimit të politikës së qeverisë për taksa dhe TVSH zero për biznesin e vogël.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kreditimi i segmentit të biznesit të vogël shënoi një rritje dyshifrore gjatë muajve janar-shkurt 2021.

Sipas BSH-së, kreditimi nga bankat për biznesin e vogël u rrit me 11.35 % me bazë vjetore dhe ka arritur vlerën e 70.4 miliardë lekë në fund të shkurt 2021.

GELDTrade.al