Banka e Shqipërisë pritet të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e ditës së enjte.
Sipas burimeve të Monitor, ky vendim është i motivuar në një masë të madhe nga shqetësimet e lidhura me stabilitetin financiar në nivel global dhe efektet e mundshme, kryesisht psikologjike, që ky moment mund të sjellë në Shqipëri.
Gjatë muajit mars, sektori bankar në SHBA u përball me falimentimin e një banke relativisht të rëndësishme, Silicon Valley Bank, ndërsa pak ditë më vonë tregjet financiare u trazuan nga kriza e radhës e bankës zvicerane Credit Suisse, që çoi në shitjen e imponuar të saj tek banka tjetër zvicerane, UBS.
Në fakt, ekspertët mendojnë se zhvillimet e mësipërme nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën dhe për momentin nuk ka shenja të një krize më të gjerë të tregjeve bankare dhe financiare. Por, sidoqoftë, shqetësimet për efektet e mundshme psikologjike tek tregjet dhe konsumatorët ngelen.










