Banka Shqiptare: Biznesi më shumë besim në ekonomi, pritshmëritë për 2021 janë optimiste…

Biznesi ka përmirësuar besimin në ekonomi gjatë pjesës së fundit të vitit 2020, ndërsa pritshmëritë për këtë vit janë më optimiste, edhe pse ky indeks mbetet nën mesataren historike.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në 3-mujorin e katërt të vitit që lamë pas, besimi i biznesit në ekonomi u përmirësua me 6 pikë përqindje, i udhëhequr nga tregtia, shërbimet e industria, ndërsa një rënie të lehtë pësoi ndërtimi pas një përmirësimi të ndjeshëm që pati në periudhën e Verës.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias, thotë se nëse do të ketë rritje të besimit dhe ekonomisë këtë vit, do ta përcaktojnë dy faktorë: investimet private dhe kreditimi.

“Kemi një përmirësim të besimit në ekonomi dhe më shumë optimizëm, por ecurinë e këtij viti do ta përcaktojë niveli i kreditimit dhe investimeve private”.

Sektorët më të prekur nga pandemia, sipas Konfindustrias, janë degët që lidhen me tregjet e huaja.

“Sektori i naftës, mineraleve dhe fasonëve kanë patur performancë të dobët, ndërsa është rritur ai i agropërpunimit”.

Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve në ekonomi vijoi rënien, duke ndalur blerjet e mëdha, ndërsa në fund të vitit situata financiare e tyre shënoi përmirësim.

GELDTrade.al