Bankomatet me kurse këmbimi transparente/ Rregulla të reja për tarifat bankare, klientët informohen për çdo komision


Bankat dhe operatorët që ofrojnë shërbime përmes bankomateve dhe pajisjeve POS do të duhet të jenë më transparentë ndaj klientëve, lidhur me kostot reale të këmbimit të monedhave.

Me ndryshimet e reja rregullatore të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, përdoruesit e kartave do të informohen qartë dhe paraprakisht për tarifat e aplikuara, kursin e këmbimit dhe përqindjen shtesë mbi kursin zyrtar, përpara se të kryejnë çdo pagesë apo tërheqje parash.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në përputhje me nenin 52, pika 2 të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, ofruesit e shërbimeve duhet të shprehin në përqindje diferencën mes kursit të aplikuar dhe kursit zyrtar më të fundit të disponueshëm. Kjo përqindje duhet t’i komunikohet paguesit para inicimit të transaksionit.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu që klientët të informohen, përpara pagesës ose tërheqjes, për shumën që do të debitohet nga llogaria e tyre dhe për shumën që do të përfitojë marrësi, në monedhën përkatëse. Ky informacion duhet të shfaqet qartë në ekranin e bankomatit ose në pajisjen POS.

“Çdo palë që ofron shërbimin e këmbimit të monedhës duhet të sigurojë paguesit informacion të plotë për shumën që do të paguhet dhe për shumën që do të përfitohet, përpara inicimit të transaksionit”, thekson Banka e Shqipërisë.

Ndryshimet synojnë të adresojnë ankesat e shumta për kostot e larta të këmbimit, veçanërisht në rastet e tërheqjeve cash me karta të huaja, një problem i raportuar shpesh nga turistët dhe emigrantët shqiptarë.

Më herët, edhe Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar rishikimin e metodologjisë së aplikimit të komisioneve në bankomate, me qëllim rritjen e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorit.



Burimi Monitor.al