Baza e Kuçovës, publikohen për herë të parë pamjet e brendshme

Baza ajrore e Kuçovës është thuajse gati.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes e cila publikon pamjet  brenda saj pak ditë para përurimit,   punimet për ta kthyer në një bazë taktike të Aleancës së Veriatlantikut  po shkojnë drejt  fundit.

“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e  Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”.

Shteti shqiptar dhe NATO vendosën ta kthejnë këtë në bazë taktike të Aleancës   në vitin 2018.  Prej atëherë, Komandanti I Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo tregon hapat e ndjekur për ta bërë plotësisht efektive.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”

Përfitme prej kësaj baze parashikohet të ketë i gjithë Qarku Berat.

“Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”.

Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars me një ceremoni ku  do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA