BB: Ekonomia shqiptare e prekur rëndë nga tërmeti e pandemia – 4 shtylla për rritjen ekonomike/ Kapitali njerëzor, klima e biznesit, mjedisi e financat publike

Modeli i rritjes ekonomike të Shqipërisë duhet të fokusohet në 4 shtylla kryesore, e më konkretisht në investime më të mëdha në aftësimin e kapitalit njerëzor, produktivitetin e firmave, qëndrueshmërinë si dhe financat publike”. Gjithçka përcaktohet në Memorandumin e ri Ekonomik të Bankës Botërore, që vlerëson se Shqipëria është prekur rëndë nga goditjet ekonomike që pasuan tërmetin e vitit 2019, ashtu edhe pandeminë COVID-19.

Sipas, Bankës Botërore, “pas qetësimit të situatës aktuale në sistemin shëndetësor, vendit do t’i duhet të rifokusohet në objektivat e tij ekonomike afatgjata, të cilat përfshijnë krijimin e një modeli të fortë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike për përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve, duke inkurajuar në këtë mënyrë njerëzit e kualifikuar dhe të talentuar të qëndrojnë në Shqipëri”. Sipas raportit, me qëllim adresimin e hendekut të aftësive, Shqipërisë do t’i duhet të orientojë fuqinë punëtore nga punët me kualifikim të ulët dhe të mesëm drejt atyre me kualifikim të lartë, çka kërkon përmirësim të procesit të të mësuarit, reformim të sistemit universitar dhe zhvillim të aftësive që përshtaten më mirë me nevojat e tregut të punës.

Ndërkohë që sa i takon shtyllës së dytë, që parashikon rritjen e produktivitetit të firmave kërkohet përmirësim i mjedisit të biznesit, forcim i inovacionit dhe thellim i procesit të integrimit të shqiptarëve në ekonominë globale. “PBB-ja për person të punësuar në Shqipëri do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti me atë të një firme mesatare në vendet e Ballkanit Perëndimor”, – vlerëson BB.

Ndërkaq, sa i takon krijimit të një modeli më të qëndrueshëm të rritjes ekonomike Banka Botërore thekson se “mbi 70% e mbetjeve në Shqipëri nuk menaxhohen si duhet, ndërkohë që tërmetet dhe përmbytjet shkaktojnë rreth 147 milionë dollarë dëme çdo vit”. Për këtë arsye kërkohet që vendi ynë të krijojë një model ekonomik të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe më të fortë ndaj fatkeqësive natyrore.

Sa i takon shtyllës së katërt, që është Forcimi i financave publike, Banka Botërore thekson se borxhi publik i Shqipërisë është shumë më i lartë se mesatarja e borxhit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që, për të garantuar qëndrueshmërinë e financave të vendit, është e nevojshme që normat e tatimit mbi të ardhurat personale të jenë më të drejta, të rriten të ardhurat nga TVSH-ja dhe të riforcohet besueshmëria e politikës fiskale, veçanërisht nëpërmjet angazhimit të qëndrueshëm politik ndaj rregullave fiskale.