BE ndalon shitjen e automjeteve të përdorura

Me një vendim që synon të ndryshojë rrënjësisht tregun e automjeteve, komisioni europian ka propozuar ndalimin e shitjes së automjeteve të përdorura jashtë territorit të vendeve anëtare. Komisioni pretendon se rregulloret e reja do të çonin në një reduktim vjetor të emetimeve të CO2 me 12.3 milionë tonë deri në vitin 2035

Nëse propozimi i paraqitur nga Komisioni Europian miratohet, automjetet e përdorura dhe të vjetruara nuk do të mund të shiten më jashtë BE-së dhe do të ndikojnë në sigurinë rrugore e ndotjen e mjedisit në vendet e treta. Ato do të duhet të të riciklohen brenda BE-së.

Sipas zyrtarëve në Bruksel në vitet në vijim do të dalin në treg gjithnjë e më shumë automjete me emetim zero, të cilat do të rrisin kërkesën për materiale parësore të vlefshme. Propozimi aktual do të sigurojë riciklimin dhe ripërdorimin e sa më shumë prej këtyre materialeve.

Komisioni propozoi një rregullore që do të zëvendësonte direktivat ekzistuese për automjetet në fund të ‘jetës’ si dhe për ripërdorimin dhe riciklimin e tyre. Komisioni pretendon se rregulloret e reja do të çonin në një reduktim vjetor të emetimeve të CO2 me 12.3 milionë tonë deri në vitin 2035, një valorizim më të mirë të 5.4 milionë tonëve materiale dhe në rritjen e ripërdorimit të lëndëve të para kryesore.

“Zbatimi i rregullores do të çojë në kursime afatgjatë të energjisë në fazën e prodhimit, ulje të varësisë nga lëndët e para të importuara dhe promovim të modeleve të qëndrueshme të biznesit”, thekson Komisioni. Çdo vit më shumë se gjashtë milionë automjete arrijnë fundin e ‘jetës’ së tyre në Europë.

Industria e automjeteve do të bëhet konsumatori më i madh i lëndëve të para kryesore të përdorura në magnet të përhershëm për e-motorët në Europë. Prandaj, forcimi i qëndrueshmërisë së BE-së ndaj ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit dhe reduktimi i varësisë së saj nga importet e këtyre lëndëve të para është çelësi për kalimin drejt automjeteve me emetim zero. Sipas rregullores së re të propozuar, prodhuesit e automjeteve do të duhet të ofrojnë udhëzime të qarta dhe të hollësishme për çmontimin e automjeteve dhe mënyrën e zëvendësimit dhe heqjes së pjesëve.

Të paktën 25 % e plastikës në automjetet e reja do të duhet të vijë nga procesi i riciklimit dhe nga kjo të paktën 25 % duhet të riciklohen nga automjeti i fundit. Shtrirja e këtyre masave do të shtrihet gradualisht në kategoritë e tjera të automjeteve, si motoçikletat, kamionët dhe autobusët, duke siguruar kështu një mbulim më të plotë. Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian tani duhet të vendosin për propozimin e Komisionit.