BE pezullon fondet për bujqësinë shqiptare AZHBR nis hetimet

Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimin e fondeve për bujqësinë shqiptare, pas dyshimeve për abuzime dhe korrupsion gjatë ndarjes së tyre për fermeret.

Siç bëhet e ditur në një dokument zyrtar që Delegacioni i BE-së i është përgjigjur qeverisë shqiptare, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit(OLAF), ka kryer një hetim për këtë çështje dhe ka dyshime të arsyeshme për korrupsion.

Siç mësohet, BE ka pezulluar dhënien e një shume prej 450 mijë dollarësh, pjesë e projekteve të bujqësisë, të cilat janë kërkesa e radhës e qeverisë shqiptare për rimbursim.

Në përgjigje të kërkesës së qeverisë, Bashkimi Europian i është përgjigjur se ka një hetim nga Komisioni për abuzime me fondet e BE për Shqipërinë.

Në shkresën e delegacionit të BE theksohet: “Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II.

Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”, thuhet në përgjigjen zyrtare.