BE shqetësohet nga prania e mashtrimeve të shumta financiare në platformat e Google, Meta dhe TikTok


Gjigantët e teknologjisë Google, Meta dhe TikTok po përballen me një valë të re hetimesh nga autoritetet evropiane, për shkak të rolit të tyre të dyshuar në përhapjen e mashtrimeve financiare ndaj përdoruesve. Sipas një raportimi të Reuters, kompanitë akuzohen se nuk kanë vepruar mjaftueshëm për të hequr reklamat mashtruese dhe për të njoftuar përdoruesit në mënyrë të përshtatshme.

Ankesat janë depozituar nga European Consumer Organisation (BEUC), së bashku me 29 organizata anëtare nga 27 vende evropiane. Sipas tyre, janë identifikuar rreth 900 reklama që shkelin ligjet e Bashkimit Evropian, por vetëm 27% e tyre janë hequr nga platformat. Më shumë se gjysma e raportimeve thuhet se janë refuzuar ose injoruar plotësisht.

Këto ankesa janë paraqitur në kuadër të Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, i cili i jep rregullatorëve kompetenca për të vendosur gjoba të rënda në rast shkeljesh. Google dhe Meta kanë reaguar duke mohuar akuzat. Google ka deklaruar se bllokon mbi 99% të reklamave që shkelin politikat e saj para se të shfaqen, ndërsa Meta ka theksuar se vitin e kaluar ka hequr mbi 159 milionë reklama mashtruese, shumicën përpara se të raportoheshin nga përdoruesit.

Megjithatë, Meta është përballur edhe më parë me akuza se ka përfituar miliona dollarë nga reklama mashtruese, veçanërisht ato që synojnë të moshuarit. Ndërkohë, mashtrimet e mbështetura nga inteligjenca artificiale po shtohen në platforma të ndryshme, përfshirë YouTube dhe TikTok.

Akti i Shërbimeve Dixhitale, që hyri në fuqi në vitin 2022, ka shtuar presionin ndaj kompanive të mëdha teknologjike. Që prej atëherë, Bashkimi Evropian ka nisur disa hetime paralele, nga çështjet antitrust ndaj Google, te politikat e sigurisë për fëmijët të Meta-s dhe auditimet e thella mbi algoritmet dhe të dhënat e TikTok.



Burimi Geekroom.al