Belshi i 84 liqeneve, një destinacion i preferuar turistik

Investimet e viteve të fundit  e kanë kthyer Belshin në një destinacion të rëndësishëm turistik. Por atje turistët janë vetëm ditore, pasi mungojnë strukturat akomoduese.

Resurset turistike në qarkun e Elbasanit, vijojnë të shtohen e pasurohen si pasojë e investimeve që kanë kryer së fundmi. Belshi me 84 liqene i është shtuar listës së vendeve të cilët turistët duhet të vizitojnë gjatë periudhës së verës.

Natyra është treguar bujare, por  edhe investimet e viteve të fundit e kanë kthyer Belshin në një destinacion të frekuentueshëm turistik.

Turistët nuk mungojnë. Por janë ditorë, pasi në zonë mungojnë strukturat akomoduese.

I frekuentuar këto kohë është e liqeni i Merhoit. Banorët të zonës dhe turistë nga qytete të ndryshme kalojnë ditët e nxehta në këtë plazh pa asnjë kosto.

Më i veçanti nga 84 liqenet e Belshit është edhe ai i Seferajt për historinë që mbart.

Nga gojëdhënat e banorëve të zonës, por edhe historisë që ka liqeni i Seferajt apo siç njihet ndryshe, liqeni i Afërditës, që ishte edhe perëndesha e Dashurisë, bijë e Zeuesit dhe Dianës hyjnesa e gjuetisë, zbriste çdo ditë në liqen, e që aty zgjidhje djalin më të bukur të zonës.

Në vitin 1974 liqeni i Afërditës u tha si pasojë e mungesës së reshjeve, në atë kohë u gjetën sende që mendohet se i përkisnin perëndeshën.

Përgjegjësi i kulturës tregon për projektet që bashkia ka për fshatrat e Belshit që të jenë sa më të aksesueshme nga vizitorët.

Për të prekur nga afër bukuritë e kësaj treve nga kryeqytetit të duhen më pak se 60 minuta.  Prezenca e mbi 84 liqeneve  vjen si rezultat i përbërjes së veçantë gjeologjike të territorit, ku mbizotëron elementi karstik. Krijimi i tyre  ndër shekuj ka ardhur si pasoje e formimit të gropave nga lëvizjet tektonike ose vullkanike të tokës. Liqenet përbëjnë 3% të territorit të përgjithshëm të Dumresë.