Rritja e prodhimit të ullirit me 39 për qind përgjatë vitit që lamë pas, dhe rrjedhimisht edhe e vajit të ullirit, përtej faktit që uli ndjeshëm çmimin e shitjes së këtij produkti në vend, ngriti shqetësim tek fermerët nëse do të gjenin treg. Por mesa duket, mbiprodhimi është shoqëruar edhe me rritjen e interesit të konsumatorëve për produktin vendas, duke nxjerrë kështu jashtë loje markat e importit, të cilat ndër vite kanë qenë dominonte.
Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se në 8 mujor, importi i vajit të ullirit ka pësuar një rënie drastike në sasi dhe në vlerë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht në Janar-Gusht 2022, janë importuar 184 ton vaj ulliri me vlerë 104 milionë lekë. Ndërsa në Janar-Gusht 2023 janë importuar vetëm 22.5 ton vaj ulliri me vlerë 18 milionë lekë. Blerja e vajit të ullirit përtej kufijve, ka rënë 8 herë në sasi dhe afro 6 herë në vlerë gjatë kësaj periudhe, duke treguar një ndryshim drastik në sjelljen konsumatore dhe orientim drejt prodhimit vendas.
Ashtu sikurse pritej, duket se sezoni veror dhe ardhja e turistëve apo emigrantëve ka ndikuar ndjeshëm në shitjen e produktit vendas, ku çmimi mesatar për litër varioi nga 400 -600 lekë.
Nga ana tjetër veç shitjes brenda vendit, Shqipëria ka rritur ndjeshëm eksportet e vajit të ullirit në 6 muajt e parë të këtij viti, në vlerë dhe sasi. Në 6 mujor, është eksportuar një sasi prej 4,100 tonë, nga mesatarisht 80 tonë të eksportuara historikisht.
Prodhimi i ullirit mbajti “kampion” gjatë 2022 me një rritje disa herë më të lartë se produktet e tjera në vend. Pra nëse në vitin 2021 u prodhuan afro 110 mijë ton ullinj, përgjatë vitit që lamë pas, prodhimi arriti në 152.6 mijë tonë.