Bien fitimet e bankave me afërsisht 27%, norma më e ulët e fitimit që prej vitit 2018

Fitimi i sektorit bankar në këtë fillim viti po shfaq një tendencë në rënie.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-shkurt, sektori bankar raportoi një fitim neto në vlerën e 2.3 miliardë lekëve, me një rënie prej afërsisht 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fitimi i sektorit bankar për dy muajt e parë të vitit është njëkohësisht më i ulëti që prej vitit 2018.

Edhe treguesi i kthimit nga kapitali, i mesatarizuar me bazë vjetore, ka rënë në 7.85%, nga 11.59% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kthimi nga aktivet pësoi gjithashtu rënie në 0.9%, nga 1.29% që shënonte në fund të shkurtit të vitit 2021.

Këto të dhëna bazohen në standardet e raportimit financiar që kërkohen nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes dhe kanë një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. Për shkak të ndryshimeve mes dy standardeve, veçanërisht në lidhje me llogaritjen e provigjioneve, rezultati mes dy standardeve mund të ketë ndryshime të konsiderueshme. Këtë vit përfitueshmëria e bankave ka nisur të ngadalësohet, pasi vitin e kaluar sektori mbylli realizoi fitimet më të larta historike.

Sipas standardeve IFRS fitimi arriti vlerën e rreth 19 miliardë lekëve, ndërsa sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë ky fitim arriti në më shumë se 21 miliardë lekë. Për momentin, treguesi kryesor që mat cilësinë e aktiveve të sektorit, raporti i kredive me probleme nuk ka shfaqur rritje, madje shënoi një tjetër rënie të lehtë edhe për muajin shkurt. Statistikat e të ardhurave dhe shpenzimeve nuk janë ende të detajuara në nivelin e zërave të veçantë, megjithatë rënia e fitimeve mund të jetë e lidhur me një qasje më të kujdesshme që sistemi bankar po merr kundrejt rreziqeve në rritje të lidhura me inflacionin e lartë.

Një qasje e ngjashme u vërejt edhe në vitin 2020, kur pasiguria për pasojat që mund të sillte pandemia çoi në një rritje të ndjeshme për provigjionet për humbjet nga kreditë. Nuk përjashtohet që edhe këtë vit bankat të rishikojnë fondet rezervë, duke adoptuar një qasje më konservatore, të diktuar nga keqësimi i perspektivave të rritjes ekonomike për këtë vit. Fillimisht shtrëngesat në zinxhirin e furnizimit dhe pastaj shpërthimi i luftës në Ukrainë kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore. Kjo po përkthehet në rritje të fortë të inflacionit edhe në Shqipëri. Inflacioni i lartë pritet ta ndikojë negativisht rritjen ekonomike dhe punësimin dhe kjo do të shkaktojë përcjelljen e efekteve negative edhe në sektorin bankar./E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë