Bima me fuqi të jashtëzakonshme medicinale

Ka një emër të çuditshëm. Njihet si kokoçeli, ose si lule ciani ose gjerësisht si lulekine. Lulekina është shumë e njohur edhe në Shqipëri, madje kohët e fundit ka nisur të kultivohet edhe nga ago-përpunues, të cilët operojnë në tregun e bimëve medicinale.

Zakonisht në fusha shoqëron thekrën, tërshërën dhe grurin. Gjendet në zonat e Shqipërisë me lartësi mbi 500 metra mbi nivelin e detit.

Lulekina ka një ngjyrë blu të ndezur dhe mjaft të bukur, që e bën atë mjaft tërheqëse. Ajo i përket familjes botanike të margaritave dhe rritet gjatë gjithë vitit.Në Shqipëri nuk janë të paktë kultivuesit e Lulekinës. Kjo bimë kultivohet në kushte natyrore sidomos në zonën e Pogradecit dhe veçanërisht në Lin, në një nga fshatrat më interesantë të vendit.

Kultivuesit shqiptarë arrijnë që secili të marrë një prodhim prej rreth 100 kilogram të kësaj bime mjekësore në vit, të cilën më pas e tregëtojnë tek grumbulluesit me çmime nga 170-200 Lekë për kilogram.

Bima e lulekinës kërkon një tokë të kulluar mirë, por mund të rritet edhe në kopshte apo bahçe. Bima preferon diellin në vend të hijes dhe ka nevojë për ujitje mesatare ditore.

Farat e lules mund të mbillen një gisht nën tokë dhe do të çelin pas një ose dy javësh.

Si çdo bimë e rritur lëndinave, edhe lulja e cianit ka hasur shumë vështirësi si pasojë e përdorimit në rritje të fertilizuesve dhe pesticideve. Industrializimi i bujqësisë, shkatërrimi i fushave dhe kullotave janë disa prej arsyeve përse kjo bimë po zhduket dalëngadalë.