Qindra biseda private të përdoruesve me chatbot-in Claude të Anthropic u bënë të aksesueshme publikisht në internet, pasi links të shpërndara nga vetë përdoruesit u indeksuan nga motorët e kërkimit si Google. Zbulimi, i bërë fillimisht nga përdorues të Reddit, ngriti shqetësime serioze mbi privatësinë e të dhënave dhe mënyrën se si funksionojnë opsionet e ndarjes së bisedave në platformat e inteligjencës artificiale.
Sipas raportimeve, kërkimet në Google shfaqnin mbi 200 biseda të Claude, të shpërndara në të paktën 25 faqe rezultatesh. Në to përfshiheshin informacione personale, CV me emra dhe të dhëna kontakti, projekte të brendshme të kompanive, kërkime në fushën e shëndetësisë, si edhe diskutime krejtësisht të pazakonta.
Anthropic reagoi duke theksuar se përdoruesit kanë kontroll të plotë mbi ndarjen e bisedave. Sipas kompanisë, links nuk mund të gjenden rastësisht dhe bëhen publike vetëm kur përdoruesi zgjedh opsionin “Share”. Megjithatë, paralajmërimi në Claude thote se “vetëm personat që kanë këtë link” mund ta shohin bisedën, pa sqaruar qartë se ajo mund të indeksohet edhe nga motorët e kërkimit.
Pas publikimit të rastit, indeksimi i këtyre links u bllokua shpejt, duke sugjeruar se Anthropic përdori mekanizmat standardë për t’u kërkuar motorëve të kërkimit të mos i shfaqnin më në rezultate.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Vitin e kaluar, edhe ChatGPT i OpenAI u përball me një problem të ngjashëm, duke ndryshuar më pas mënyrën se si funksiononte ndarja e bisedave. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me Grok, chatbot-in e platformës X, ku mijëra biseda përfunduan të indeksuara publikisht.
Rasti i Claude shërben si një kujtesë e rëndësishme se çdo bisedë e ndarë publikisht mund të përfundojë në motorët e kërkimit, edhe nëse përdoruesit nuk e presin një gjë të tillë. Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë të mos përfshihen kurrë informacione konfidenciale apo të dhëna personale në bisedat që ndahen përmes links publike.










