Tregu i kriptomonedhave është rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, për shkak te spekulimeve se Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA mund të aprovojë aplikacionet e Fondeve të Tregtueshme në Shkëmbim në bitcoin, ose siç njihen ndryshe si ETF. Në këtë mënyrë, bitcoin, që është aseti më i madh dixhital ka realizuar fitime prej 10% në shtatë sesionet e fundit, deri të dielën, fitimet më të mëdha javore që nga qershori.
Referuar të dhënave historike të pesë viteve të fundit, fitimet javore të këtyre përmasave kanë sjellë edhe një rritje tjetër për bitcoin me të paktën 10% në muajin pasardhës. Vetëm në sesionin e sotëm, bitcoin është rritur me rreth 3% po tregtohet në rreth 30,600 dollarë.
Menaxherët më të mëdhenj të aseteve në botë, BlackRock dhe Fidelity Investments janë ndër kompanitë në garë për të ofruar një ETF në Bitcoin në SHBA. Disa analistë argumentojnë se këto fonde do të sjellin prurje të reja në kriptomonedhën e profilit më të lartë. Gjithashtu, Bitcoin “po gjen mbështetje nga ndryshimi i tonit nga zyrtarët e Rezervës Federale, të cilët kanë lënë të kuptohet se nevoja për të rritur normat e interesit është më e ulët.
Deri më tani, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i ka rezistuar ETF-ve në Bitcoin, duke cituar si arsye kryesore rreziqe të tilla si mashtrimi dhe manipulimi në treg. Por, aplikimet nga titanët globalë të investimeve kanë nxitur spekulimet se agjencia amerikane do të tërhiqet nga qëndrimi i deritanishëm. Bitcoin është rimëkëmbur me 87% këtë vit, duke tejkaluar fitimin prej 44% në 100 kriptomonedhave më të mëdha dhe përbën tani rreth 50% të tregut të aseteve dixhitale prej 1.2 trilion dollarësh.