Bitcoin po tregtohet në mbi 28, mijë dollarë në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë pati luhatje të mëdha për shkak të lajmeve spekulative. Fillimisht u raportua se BlackRock kishte marrë miratimin nga rregullatorët në SHBA për një aplikacion të nivelit të lartë, i cili do të përdoret për investime në kriptomonedha.
Por, ky lajm u përgënjeshtrua më pas nga kompania e manaxhimit të aseteve. Bitcoin, i njohur për paqëndrueshmërinë e tij, u rrit fillimisht me mbi 10% pranë 30 mijë dollarëve, ndërsa pas përgënjeshtrimit të lajmit zbriti menjëherë pranë 28 mijë dollarëve.
Coin Telegraph, kishte raportuar më herët se Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime në SHBA kishte miratuar një aplikacion nga menaxheri kryesor i aseteve BlackRock, për një fond të tregtueshëm në bitcoin.
Por, më pas bitcoin ra ndjeshëm pasi një reporter i Fox Business shkroi në rrjetin social X se BlackRock e mohoi raportin. BlackRock më vonë konfirmoi për Reuters se “aplikacioni iShares Bitcoin ETP është ende nën shqyrtim nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime”. Edhe burime pranë Komisionit konfirmuan gjithashtu se aplikimi është ende në pritje.