Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore e bashkisë së Tiranës bëri të ditur se ka lehtësuar barrën fiskale për biznesin e vogël në kushtet e vështirësisë që krijoi pandemia Covid-19.
Në zbatim të vendimit të këshillit bashkiak “Për krijimin e lehtësirave fiskale ndaj biznesit për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19″, subjektet e regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore njoftohen për disa ndryshime:
Përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën prill – shtator 2021, për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restoranteve dhe hoteleve të klasifikuara si “biznes i vogël”.
Shtyrja e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjithë subjektet me aktivitet tregtar nga data 20.04.2021 në datën 20.05.2021.
Shtyrja e afatit të pagesës për këstin e parë për taksën mbi pasurinë (taksë ndërtese, tokën bujqësore, truall) nga data 20.04.2021, në datën 20.05.2021.










